Ministrja Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock FOTO: Albin Kurti, facebook

Kur pritet të mbahet takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit sipas ministres së Jashtme gjermane?

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annlena Baerbock, ka thënë se nevojitet një përparim i dukshëm i dialogut Kosovë – Serbi, duke shtuar se Gjermania dëshiron të kontribuojë në takimin mes dy qeverive dhe pas zgjedhjeve të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, raporton RTS.

Këtë Baerbock e ka thënë në një konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Gjermania dëshiron të kontribuojë në takimin mes qeverive të Beogradit dhe Prishtinës pas zgjedhjeve dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë ajo.

Ministrja gjermane gjithashtu ka thënë se Gjermania dëshiron të japë kontributin e saj në zhvillimin e Ballkanit Perëndimor duke shtuar se Berlini dëshiron që Serbia të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Ne jemi të bindur se qytetarët e Serbisë kanë të njëjtën të drejtë të jetojnë në liri, siguri, paqe, në shtëpinë tonë të përbashkët – Evropën. Prandaj nevojiten reforma, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, ku ne do të mbështesim fuqishëm Serbinë. Mesazhi im në Sarajevë, Prishtinë dhe tani në Beograd është se Gjermania do të tregojë një prani më të fortë në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar Baerbock.

Ndërkaq, Vuçiq ka thënë se problemet e Beogradit dhe Prishtinës duhet të zgjidhen përmes dialogut.

“Beogradi është i përkushtuar ndaj dialogut dhe ne gjithmonë jo vetëm që jemi përgjigjur, por më duket se po kontribuojmë në përparimin e atij procesi në mënyrën më të mirë dhe më konstruktive, kur ka vullnet nga të gjitha palët”, tha Vuçiq.

Një ditë më parë, ministrja e Jashtme gjermane ka qenë në vizitë edhe në Kosovë. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ajo ka thënë se Kosova e ka përfunduar punën për liberalizimin e vizave.

“Kosova e ka kryer punën e saj sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe tani i mbetet Bashkimit Evropian ta bëjë të njëjtën gjë”, ka deklaruar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.