Nysrete Kumnova dhe Suphije Tafashiku | Foto: Blerina Gaxha

Kumnova: Selmanaj duhet të shkarkohet, është treguar i pandërgjegjshëm

Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova, ka kërkuar nga kryeministri i vendit Avdullah Hoti shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt.

Në një prononcim për KALLXO.com, Kumnova ka thënë që sjellja e Selmanajt karshi ftesës së Komisionit për të drejta të njeriut të për të raportuar për çështjen e të pagjeturve, është e papranueshme.

“Zëvendëskryeministri Selmanaj duhet të shkarkohet nga detyra që ka, ai është duke u treguar i pandërgjegjshëm dhe i pandjenja sepse ai këtë çështje e dinë shumë mirë që mbi 20 vite, dhe na njeh dhe neve familjarëve që e kemi këtë brengë shumë të dhimbshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Selmanaj duhet t`i kërkoj falje familjarëve të të pagjeturve.

“Ne gjithëherë, unë sidomos e përcjelli çdo seancë, çdo takim, edhe gojën ia ruaj gjithsecilit çka po flet për çështjen e më të dashurve tanë. Sikur të kish menduar pak nuk e kishte bërë këtë, ose edhe ish tërhequr duke kërkuar falje nga familjarët”, ka thënë ajo.

Bajram Qerkinaj, përfaqësues i Shoqatës së të Pagjeturve në një prononcim për KALLXO.com ka vlerësuar se Selmanaj për shkak të mungesës së informacioneve për çështjen e të pagjeturve është gjendur në një situatë të tillë.

“Unë e di se këta nganjëherë gabojnë për shkak që nuk janë sa duhet të informuar dhe kur të jesh i pa informuar për persona të pagjetur është kogja e vështirë edhe me fol. Unë nuk mendoj që duhet të largohet apo ndërrohet, por që duhet të marrë përgjegjësi jo vetëm zëvendëskryeministri por secili njeri që gabon, për që nuk kanë përgjegjësi të gjitha institucionet kemi këso zhvillime”, ka thënë ai.

Sipas tij, në dialogun Kosovë-Serbi nuk duhet të diskutohet asnjë temë përpara asaj të të pagjeturve.

“Në kuadër të dialogut është thënë se do të jetë pika e parë e rendit të ditës çështja e të pagjeturve, është thënë haptas para mediave se kjo çështje duhet të marrë fund për të filluar pastaj me bisedat e tjera”, theksoi ai.

Dje, në seancën e Kuvendit të Kosovës zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj ka arsyetuar refuzimin e ftesës për të raportuar në Komisionin për të pagjetur.

“Asnjëherë në jetën time nuk kam thënë që tema e të pagjeturve është ezauru, kam thënë instrumenti i raportimit meqenëse kryeministri ka raportuar 6 orë unë nuk mund të vij sepse është konsumuar instrumenti i raportimit për këtë temë, kushdo që flet shqip dhe kupton shqip këtë e kam thënë”, tha Selmanaj.

“Unë nuk jam befasuar nga kryetarja e Komisionit Duda Balje, sepse ajo nuk flet shqip dhe nuk kupton shqip, por nga deputetët e tjerë jam ndjerë keq dhe po ndihem edhe sot”, shtoi ai.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismajli- Ahmeti ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti shkarkimin e zëvëndëskryeministrit, Driton Selmanaj, pasi ky i fundit kishte refuzuar të raportojë para Komisionit për të drejtat e njeriut për çështjen e të pagjeturve.

Në e-mailin që Ismajli- Ahmeti ka lexuar para deputetëve, zëvendëskryeministri Selmanaj kishte thënë se çështja e të pagjeturve tashmë është konsmuar dhe ezauruar dhe se nuk ka çfarë të raportojë.

“Lidhur me kërkesën e Komisionit për të Drejtat e Njeriut  që zëvendëskryeministri,  Driton Selmanaj të raportojë mbi çështjen e të pagjeturve, konsiderojmë se kjo çështje është konsumuar dhe ezauruar në seancën e Kuvendit kur kryeministri Hoti ka raportuar mbi të. Ai ka prezantuar të gjitha në debatin disa orësh, diskutimi  i kësaj  çështje nuk është opurtune”, thuhet në e-mailin që zyra e zëvendëskryeministrit i ka dërguar Duda Baljes, kryetares së këtij Komisioni.

VIDEO – Deputetja Besa Ismaili përgënjeshtron Driton Selmanajn, kërkon shkarkimin e tij