Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Obiliqit i reagon KEK-ut për projektin e parkut solar, thotë se komuna nuk është konsultuar

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka reaguar ndaj deklaratës së kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili në media ka prezantuar ndërtimin e një parku solar në këtë komunë.

Gashi në një komunikatë për media ka shkruar se KEK-u ka planifikuar projekte pa konsultime me komunën që nga marrja e mandatit, ku operon kjo korporatë duke shtuar se Krasniqi nuk e ka theksuar rëndësinë e shëndetit të banorëve të Obliqit.

“Sipas drejtorit të KEK, z.Nagip Krasniqi, i cili edhe e paska bërë publike një gjë të tillë, mes tjerash, ka theksuar rëndësinë që duhet kushtuar projekteve për energjinë, por askund nuk qenka kujtuar të theksoj rëndësinë e shëndetit të banorëve të Obiliqit dhe të paktën ta ndjej obligim përmirësimin e gjendjes mjedisore e ambientale në Obiliq”, ka shkruar Gashi.

Në komunikatë bëhet e ditur se komuna e Obliqit ka drejtuar shkresa në Qeverinë e Kosovës dhe në ministritë e atakuara me Ligjin për Obiliq, e po ashtu edhe në menaxhmentin dhe bordin drejtues të KEK-ut.

Tutje, Gashi ka thënë se komuna e Obiliqit mirëpret projekte e planifikime, por nuk lejon në asnjë formë realizimin e projekteve pa njoftuar të gjithë komunitetin.

“Komuna e Obiliqit, është institucion i vënë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre, prandaj mirëpret dhe kërkon bashkëpunim nga Korporata Energjetike e Kosovës për këtë çështje si dhe gjatë ditës së sotme  kemi adresuar një kërkesë për obligimet e tyre të papërfunduara karshi qytetarëve të Obiliqit që i obligojnë ligjet në fuqi, ne jemi në pritje të një përgjigjeje brenda afateve në të kundërtën do ndjekim veprimet dhe rrugët tjera ligjore”, shkruan kryetari i komunës së Obiliqit.