Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i bordit: Në RTK ka më shumë redaktorë sesa gazetarë

Kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini ka deklaruar së në transmetuesin publik janë 80 redaktorë e vetëm 60 gazetarë.

Boletini ka paralajmëruar se do t’i bëjnë ftesë Prokurorisë që t’i hetojnë disa kontrata të marketingut e gjithashtu edhe për borxhet.

“RTK ka më shumë redaktorë se sa gazetarë. 80 redaktorë e 60 gazetarë. Me drejtorin e ri do të kemi ristrukturim, kemi departamente që kanë rroga marramendëse. Do t’i bëjmë ftesë Prokurorisë. Ka shumë çështje për Prokurorinë, edhe për borxhet qysh janë krijuar këto 382 mijë nga blerja e lajmeve e emisioneve. Nuk është vetëm kjo, kemi dyshime për kontraktime të marketingut. Kemi disa ide nga anëtarë të bordit të propozohet një formë e mirë për të hyra të qëndrueshme”, ka thënë ai.

Boletini ka folur edhe për thirrjen për punësimin e 98 personave, që sipas tij, 40 janë për t’u angazhuar në RTK 2, që transmeton program në gjuhën serbe.

Sipas tij, nuk do të ketë rritje të stafit, por shkurtime racionale.

“Nga 98 persona, 40 janë për RTK 2, sepse nga ish-menaxhmenti nga kanë thënë se kanë pasur problem se nuk njihen diplomat nga Serbia. Në këtë rast ne si bord, do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë. Pra nuk do të ketë rritje siç është raportuar, por shkurtime racionale”, u shpreh ai.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere e ka shqyrtuar Programin e Shpenzimeve të RTK-së për periudhën janar-mars 2022.