Kryeministri Kurti, serbëve të Kosovës: Mos u ndikoni nga regjimi autoritar i Beogradit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe ka falënderuar qytetarët serb për protestat paqësore, të cilat i zhvilluan sot kundër vendimit të Qeverisë për moslejim të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë, pa marrëveshje shtetërore.

Po ashtu, përmes këtij video-mesazhi, kryeministri Kurti i ka ftuar serbët e Kosovës të besojnë më shumë në Qeverinë e Kosovës dhe të mos bien pre, siç ka thënë ai, e regjimit autoritar të Beogradit.

Kurti tha se vendimi për suspendimin e gjyqtares Liliana Stevanoviq nuk është marrë nga ai dhe se për këtë ka mësuar nga mediat.

“Për qeverinë që udhëheq ndarja e pushteteve është parim i demokracisë dhe obligim kushtetues. Në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojë në vendimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Për suspendimin e gjyqtares Liliana Stevanoviq mora vesh nga mediat, e kjo do të thotë se ajo megjithatë nuk është larguar nga puna. Unë angazhohem për drejtësi dhe të drejtën, por, unë nuk jam kryesues i Këshillit Gjyqësor, e as anëtar”, ka thënë ai.

Duke i falënderuar serbët e Kosovës për protestat paqësore, ai ka thënë se më mirë do të ishte që ata të protestonin për drejtësi sociale e kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos u ndikoni nga regjimi autoritar në Beograd.

“Ju lutem që të mos u ndikoni nga regjimi autoritar në Beograd. Atyre nuk iu interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve të Kosovës.  Ata përpiqen ta destabilizojnë Kosovën për qëllime të tyre zgjedhore  edhe për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe”, ka thënë Kurti në video-mesazhin drejtuar serbëve të Kosovë.