Kryeministri Kurti fton ndërmarrësit dhe investitorët e huaj të investojnë në Kosovë

Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në një drekë pune me ndërmarrës dhe investitorë të huaj, ftoi ata të investojnë në Kosovë.

Dreka ishte mbajtur në kuadër të Forumit Angermyer të Politikës dhe Inovacionit.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se, Kurti njoftoi pjesëmarrësit me reformat e nisura në drejtësi dhe administratë publike, prioritetet e qeverisë, planet afatgjate, dhe parametrat ekonomikë të vitit 2021, të cilët tregojnë për rritje të eksporteve, investimeve të huaja, qarkullimit vjetor të bizneseve dhe konsumit privat.

Tutje, në komunikatë potencohet se kryeministri u kishte thënë ndërmarrësve që besimi në qeveri është i madh, dhe kjo është pasqyruar edhe nga përmirësimi rekord vjetor për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të raportit të Transperancy International.

“Së fundmi, kemi miratuar ligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale, e cila do të jetë në shërbim të rritjes së efikasitetit të trajtimit të konteksteve ekonomike, ndërkaq, që në të njëjtën kohë jemi duke i rishikuar ligjet ekzistuese për Investimet Direkte të Huaja, Investime Strategjike dhe Zonat Ekonomike me qëllim ofrimit të kushteve sa më të favorshme dhe përshtatshme”, tha kryeministri Kurti.

Duke i ftuar për të investuar në Kosovë, kryeministri shtoi se këta indikatorë dëshmojnë se Kosova paraqet një mjedis biznesor, që do të mund ta bëjë Republikën e Kosovës destinacionin më tërheqës dhe konkurrues në Evropën Juglindore për Investime të Huaja Direkte.

Kurti udhëton për në Mynih të Gjermanisë