Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeministri Hoti premton mbështetje për komunitetin LGBTIQ+

Sot në Kosovë shënohet ‘Java e Krenarisë’, me qëllim të mbështetjes dhe garantimit të drejtave të komunitetit LGBTIQ+.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka premtuar mbështetje për këtë komunitet konformë të drejtave kushtetuese e ligjore.

“Në vazhdimësi ka pasur dhe do të ketë mbështetjen time për nismat dhe veprimet të cilat qojnë drejt përmbushjes së nevojave dhe të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ konform të drejtave kushtetuese, ligjore dhe standardeve evropiane për të drejtat e njeriut”, ka shkrua Hoti në Facebook.

Në shenjë përkrahje për këtë komunitet të gjitha ndërtesat qeveritare janë vendosur flamuj shumëngjyrësh.

“Në këtë kontekst, Republika e Kosovës ka konsoliduar kornizën ligjore me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, i cili siguron promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha grupeve të margjinalizuara në shoqëri, duke përfshirë edhe komunitetin LGBTIQ+. Pra, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave të komunitetit LGBTIQ+ është një përgjegjësi integrale e të gjitha institucioneve në vend”, ka shkruar tutje ai.

Nën sloganin “Po, du”, këtë vit “Parada e Krenarisë” do të organizohet me parakalimin e veturave nëpër rrugët e Prishtinës.

Kjo paradë e cila bashkon personat LGBTI dhe përkrahësit e komunitetit për të kërkuar të drejta të barabarta, do të kërkojë drejtësi për vendimet e kodit civil lidhur me përjashtimin e martesave të seksit të njëjtë.

Sipas Qendrës për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT (CEL), arsyeja se pse ky organizim ka ndryshuar formatin e realizimit është  për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Parada e Krenarisë” në Prishtinë, pandemia ndryshon formën e marshimit