Morina në Paradaën e Krenarisë më 2018

"Parada e Krenarisë" në Prishtinë, pandemia ndryshon formën e marshimit

Nën sloganin “Po, du”, këtë vit “Parada e Krenarisë” do të organizohet me parakalimin e veturave nëpër rrugët e Prishtinës.

Kjo paradë e cila bashkon personat LGBTI dhe përkrahësit e komunitetit për të kërkuar të drejta të barabarta, do të kërkojë drejtësi për vendimet e kodit civil lidhur me përjashtimin e martesave të seksit të njëjtë.

Sipas Qendrës për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT (CEL), arsyeja se pse ky organizim ka ndryshuar formatin e realizimit është  për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Edhe pse në kushte pandemie, do të organizohet me vetura në rrugët e Prishtinës, për të adresuar sfidat, kërkesat si dhe për të shfaqur prezencën e personave LGBTI në Kosovë”, shkruan në njoftim.

Në kuadër të shënimit të Javës së Krenarisë në Kosovë, Institucioni i Avokatit të Popullit përmes një deklarate ka kërkuar vëmendjen për garantimin e të drejtave themelore të njeriut për pjesëtarët e komunitetit LGBTI.

Sipas këtij institucioni, ky komunitet është ende një nga grupet më të cenueshme në shoqërinë tonë.

“Me qëllim që kjo luftë të jetë efikase, ajo duhet të mbështetet me sanksionimin e vazhdueshëm të çdo vepre të kryer nga urrejtja në bazë të orientimit seksual”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Numri i veturave në Paradë do të jetë i kufizuar.

Këtë vit Parada e Krenarisë do të shkurtohet në vetëm një ditë.