Mbrojtja Ajrore Ruse (Vadim Grishankin/Shërbimi i Shtypit i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, AP)

Kriza Rusi - Ukrainë: Zhvillimet e ditës së enjte

 

Shtetet e Bashkuara kanë pranuar të dhëna intelegjente që tregojnë se qeveria ruse ka zhvilluar një plan për të organizuar një sulm të rremë ukrainas për ta krijuar një pretekst për veprim ushtarak, sipas një zyrtari të lartë të administratës Biden.

Shtetet e Bashkuara e zbuluan inteligjencën në fjalë gjatë një dite tjetër të përpjekjeve diplomatike për të parandaluar tensionet që shpiejnë drejt luftës.

Pas bisedimeve me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ofroi të ndërmjetësojë mes Kievit dhe Moskës duke u bërë nikoqir i bisedimeve.

Presidenti francez Emmanuel Macron kishte planifikuar ta zhvillonte një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin, pas një telefonate me Zelenskyy.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësime se Rusia vazhdon ta rrisë numrin e trupave përgjatë kufijve të Ukrainës, përfshirë Bjellorusinë.

Në vijim po japim të dhënat e djeshme, e enjte, që kanë të bëjnë me tensionet ndërkombëtare për dhe rreth Ukrainës, e cila ka të paktën 100,000 trupa ruse të grumbulluara përgjatë kufijve të saj.

PARALAJMËRIMI I SHBA-së PËR NJË OPERACION FALSE RUS

Inteligjenca amerikane thotë se qeveria ruse ka zhvilluar një plan për ta organizuar një sulm të rremë që do t’i përshkruante ushtrinë ukrainase ose forcat e saj të inteligjencës duke e sulmuar territorin rus, tha të enjten një zyrtar i lartë i administratës Biden.

Plani përfshin prodhimin e një videoje propagandistike grafike që do të tregonte shpërthime të inskenuara dhe do të përdorte kufoma dhe aktorë teksa vajtojnë, sipas zyrtarit, i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte dhe foli në kushte anonimiteti.

Plani, i cili u zbulua në inteligjencën e deklasifikuar të ndarë me zyrtarëve ukrainas dhe aleatëve evropianë ditët e fundit, është pretendimi i fundit nga SHBA dhe Britania se Rusia po komploton ta përdorë një pretekst të rremë për t’u futur në luftë kundër Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë është e shqetësuar se videoja, nëse publikohet, mund t’i japë Putinit “shkëndijën” që beson se ai po kërkon për t’i vënë në lëvizje në mënyrë të besueshme veprimet ushtarake.

PËRPJEKJET DIPLOMATIKE PËR DEPËRSHKALLËZIM TË KRIZËS

Erdogan ka ofruar përsëri të jetë nikoqir i  bisedimeve midis Moskës dhe Kievit me synim lehtësimin e tensioneve që po shkaktojnë frikën për luftë.

“Turqia është e përgatitur të kontribuoojë për t’i dhënë fund krizës midis dy vendeve mike që janë fqinjët e saj në Detin e Zi”, tha ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me Zelenskyy.

“Në vend që t’i fryejmë zjarrit, ne veprojmë me qëllimin logjik për t’i ulur tensionet”, tha Erdogan ndërsa ofroi të organizonte një takim “në një nivel lidershipi ose bisedime të nivelit teknik”.

Ai përsëriti angazhimin e Turqisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Ndërkohë, Putin po takohej me presidentin argjentinas Alberto Fernandez në Moskë dhe do të flasë me telefon me presidentin francez Macron, i cili pati një telefonatë të mërkurën mbrëma me presidentin e SHBA Joe Biden. Macron më pas do të flasë me Zelenskyy, sipas zyrës së Macron.

NATO: PREZENCË ‘E KONSIDERUESHME’ E TRUPAVE RUSE NË BJELLORUSI

Stoltenberg u tha gazetarëve në selinë e NATO-s se Moska tani ka vendosur më shumë trupa dhe pajisje në Bjellorusi se në çdo kohë në këto 30 vitet e fundit.

Kreu i NATO-s tha se forcat ruse në Bjellorusi ka të ngjarë të rriten në 30,000, duke përfshirë forcat speciale, të mbështetura nga avionë luftarakë dhe raketa.

Ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu mbërriti të enjten në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, për t’i monitoruar përgatitjet për lojërat kryesore të luftës Rusi-Bjellorusi që pritet të zhvillohen në 10-20 shkurt.

Stoltenberg i bëri përsëri thirrje Rusisë që për “de-përshkallëzim” dhe paralajmërimet e përsëritura nga Perëndimi se “çdo agresion i mëtejshëm rus do të kishte pasoja të rënda dhe do të kishte një çmim të rëndë”.

FRANCA DËRGON TRUPA NË RUMANI

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian konfirmoi të enjten se Parisi po dërgon përforcime trupash në Rumani nën komandën e NATO-s, si pjesë e angazhimit të Francës ndaj aleancës dhe vendeve anëtare të saj në Evropën Lindore.

Ai nuk tha se sa ushtarë francezë do të dislokohen. Njoftimi erdhi një ditë pasi SHBA tha se po lëvizte trupat e vendosura në Gjermani drejt Rumanisë.

Le Drian tha në një konferencë për shtyp në Bukuresht se lëvizja e trupave në krahun lindor të NATO-s nuk duhet t’i pengojë përpjekjet diplomatike për të lehtësuar tensionet mbi Ukrainën.

“Qëllimi i vërtetë këtu është depërshkallëzimi dhe duhet bërë gjithçka për ta arritur atë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Le Drian. “Si ta arrijmë atë? Duke u përmbajtur dhe duke biseduar.”

Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Bogdan Aurescu tha se qasja me dy drejtime e parandalimit dhe diplomacisë ushtarake është mënyra e vetme për të lehtësuar tensionet e larta dhe për të shmangur luftën.

UKRAINIAN DEFENSE MINISTER URGES CALM

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës bën thirrje për qetësi, duke thënë se gjasat e një pushtimi rus ishin “të ulëta”.

Oleksii Reznikov tha se kërcënimi i sulmit është shfaqur mbi Ukrainën që nga viti 2014, viti kur Rusia pushtoi Krimenë, por ai shtoi: “Nuk ka arsye për panik, frikë, arratisje apo paketim çantash”.

Ministri tha se ka rreth 115,000 trupa ruse pranë kufirit të Ukrainës, duke përfshirë ato të dislokuara në Bjellorusi për lojëra lufte, por ai tha se nuk janë zbuluar grupe betejash përgjatë kufirit të Ukrainës me Bjellorusinë.

Ai gjithashtu përsëriti garancitë e mëparshme se Kievi nuk planifikon t’i sulmojë zonat e kontrolluara nga rebelët në lindjen e shkatërruar nga lufta të Ukrainës ose Krimesë – diçka që Kremlini e ka akuzuar Kievin për komplot.

PUTINI MERR PJESË NË LOJËRAT OLIMPIKE 

Pas takimit të tij me presidentin argjentinas Alberto Fernandez, Putin shkon të enjten në mbrëmje në Pekin për t’i forcuar lidhjet e Moskës me Kinën dhe për t’i koordinuar politikat e tyre përballë presionit perëndimor.

Si një tifoz i hokejit në akull, Putin do të marrë pjesë gjithashtu në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të premtes .

Bisedimet e tij me presidentin kinez Xi Jinping të premten do të jenë të parat e tyre ballë për ballë që nga viti 2019 dhe do të ndihmojnë në çimentimin e një marrëdhënieje të fortë personale që ka qenë një faktor kyç pas një partneriteti në rritje midis dy ish-rivalëve komunistë.

Yuri Ushakov, këshilltari i Putinit për çështjet e jashtme, tha se vizita do të shënonte një fazë të re në një partneritet Rusi-Kinë, të cilin ai e përshkroi si një “faktor kyç që kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm global dhe ndihmon kundër aktiviteteve destruktive nga disa vende”.

Ushakov theksoi se Kina mbështet Rusinë në përmbajtjen aktuale lidhur me Ukrainën./AP