Kriza Rusi-Ukrainë, çfarë po ndodh sot?

Një seri bisedimesh të nivelit të lartë po zhvillohen sot, e martë, në përpjekje për ta shmangur kërcënimin e luftës, ndërkohë që me dhjetëra mijëra trupa ruse janë të grumbulluar në kufijtë e Ukrainës.

Presidenti rus Vladimir Putin pritet të bëjë një paraqitje me kryeministrin hungarez, ndërsa kryeministri britanik Boris Johnson po largohet për cak kohë nga problemet e tij në shtëpi për një takim në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Kremlini e bëri të ditur gjithashtu takimin personal të Putinit me presidentin francez Emmanuel Macron “në një të ardhme të parashikueshme”.

MESAZHE TË KRYQËZUARA DIPLOMATIKE

Rusia mohon se i ka dërguar një përgjigje propozimit të SHBA-së që synon ta shtensionojë krizën në Ukrainë.

Shumë zyrtarë të administratës së Bidenit thanë se qeveria ruse kishte dhënë një përgjigje me shkrim për propozimet e SHBA-së, por zëvendësministri i Jashtëm Alexander Grushko të martën i tha agjencisë ruse të lajmeve RIA Novosti se kjo “nuk ishte e vërtetë”.

Agjencia citoi gjithashtu një diplomat të lartë të paidentifikuar në Ministrinë e Jashtme ruse të thoshte se Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov u dërgoi një mesazh kolegëve të tij perëndimorë, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken për “parimin e pandashmërisë së sigurisë”, por nuk ishte një përgjigje ndaj propozimeve të Uashingtonit.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të martën se ka pasur “konfuzion” – përgjigja e Rusisë ndaj propozimeve të SHBA është ende në proces dhe ajo që u dërgua “ishin konsiderata të tjera, për çështje disi të ndryshme”.

Lavrov dhe Blinken kanë planifikuar të flasin të martën.

SI DO TË DUKEJ NJË REZISTENCË UKRAINASE?

Qyteti lindor i Ukrainës, Kharkiv, është i ndarë mes njerëzve që janë vullnetarë me entuziazmin për t’iu bashkuar një rezistence civile ndaj një pushtimi të mundshëm rus dhe atyre që thjesht duan ta jetojnë jetën e tyre.

Cila palë fiton në Kharkiv, i cili është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe është vetëm 40 kilometra (25 milje) nga vendi ku trupat ruse po grumbullohen, mund ta përcaktojë fare mirë fatin e vendit.

Sipas analistëve dhe zyrtarëve të inteligjencës amerikane, një luftë guerile e zhvilluar nga dentistë, trajnerë dhe amvise që mbronin një vendlindje me një mijë strehimore bodrumesh, do të ishte një makth për planifikuesit ushtarakë rusë. Dhe kjo është pikërisht ajo që shumë njerëz në Kharkiv – dhe në mbarë Ukrainën – thonë se po planifikojnë.

“Ashtu si gjenerata jonë dhe fëmijët tanë janë gati të mbrohen. Kjo nuk do të jetë një luftë e lehtë”, tha Maryna Tseluiko, një bukëpjekëse 40-vjeçare e cila u regjistrua si rezerviste me vajzën e saj 18-vjeçare në Kiev.

SHEFI I SIGURISË SË UKRAINËS PARALAJMËRON LIDHUR ME TRAZIRA TË BRENDSHME

Shefi i sigurisë së Ukrainës tha se forcat ruse të grumbulluara në kufi nuk i kanë bërë përgatitjet që sinjalizojnë një pushtim të afërt dhe ai paralajmëroi se mbjellja e panikut mund të çojë në trazira të brendshme që do të shkonin  në dobi të Moskës.

Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha për Associated Press se rreth 120,000 trupa ruse janë të përqendruara pranë Ukrainës dhe Moskës, por tha se një pushtim i afërt do të kërkonte përgatitje masive që do të dalloheshin lehtësisht.

“Ne nuk mund të lejojmë panik në vend”, tha Danilov për AP. “Është shumë e vështirë për ne të mbajmë kontrollin mbi situatën ekonomike kur të gjitha mediat vazhdojnë të thonë se lufta do të fillojë nesër. Paniku është motra e humbjes”.

Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin shpreson ta arrijë qëllimin e tij për ta shkatërruar Ukrainën përmes destabilizimit të brendshëm edhe pa ndonjë pushtim./AP