Policia e Kosoves Banjske

Kriza në Banjskë - Policia gjen prova të reja, ndër to edhe dron

Prova të reja, pajisje e materiale janë gjetur e konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati  shkëmbime me armë zjarri mes një grupi terrorist dhe Policisë se Kosovës.

Ngjarja e cila u zhvillua dje në Banjskë të Zveçanit ka lënë pas vetes prova të shumta të cilat po vazhdojnë ende të grumbullohen nga ekipet policore e forenzika që aktualisht janë ende duke ekzaminuar vendin e ngjarjes.

KALLXO.com mëson se brenda perimetrit ku dje pati sulme ndaj Policisë së Kosovës janë gjetur mjete të ndryshme të reja që grupi terrorist dyshohet se i la pas.

Siç mëson KALLXO.com edhe një dron është konfiskuar i cili i përkiste grupit terrorist.

Foto: KALLXO.com

Në anën tjetër edhe në orët e vona mbrëmë dhe aktualisht po vazhdon këqyrja e vendit të ngjarjes.

KALLXO.com ka tentuar që të ju sjellë pamje nga vendi i ngjarjes por të gjitha rrugët që te dërgojnë në Banjskë janë të mbyllura për media për shkaqe sigurie por edhe për shkak të hetimeve.

Ekipet e policisë po vazhdojnë të monitorojnë nga afër rrugët që dërgojnë në Banjskë e edhe pikat e tjera.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Situatë e qetë sot në Zveçan