Kriza në Banjskë – Nisin kontrollet në male

Një kontroll i detajuar ka nisur sot në mëngjes në zonën përreth Manastirit të Banjskës.

KALLXO.com merr vesh se Policia e Kosovës është urdhëruar të kontrollojë zonën malore prej nga u arratisën personat e dyshuar për sulmin terrorist.

Po ashtu, KALLXO.com mëson se brenda perimetrit ku dje pati sulme ndaj Policisë së Kosovës janë gjetur mjete të ndryshme të reja që grupi i dyshuar terrorist i la pas.

Prova të reja, pajisje e materiale janë gjetur e konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati  shkëmbime me armë zjarri mes një grupi terrorist dhe Policisë se Kosovës.

Siç mëson KALLXO.com edhe një dron është konfiskuar i cili i përkiste grupit terrorist po ashtu janë konfiskuar edhe shumë automjete të ndryshme.

Në anën tjetër edhe në orët e vona mbrëmë dhe aktualisht po vazhdon këqyrja e vendit të ngjarjes.

KALLXO.com ka tentuar që të ju sjellë pamje nga vendi i ngjarjes por të gjitha rrugët që te dërgojnë në Banjskë janë të mbyllura për media për shkaqe sigurie por edhe për shkak të hetimeve.

Ekipet e policisë po vazhdojnë të monitorojnë nga afër rrugët që dërgojnë në Banjskë e edhe pikat e tjera.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.