Foto: Memli Krasniqi, Faceook

Krerët e opozitës takohen me Escobarin e Hovenierin, flasin për zhvillimet aktuale në vend

Krerët e tri partive opozitare, Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) janë takuar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ata kanë zhvilluar një darkë pune në rezidencën e ambasadorit Hovenier, ku kanë shkëmbyer qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në vend.

Kështu ka bërë të ditur kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se komunikimi me aleatët strategjikë është jo vetëm i mirëseardhur dhe i frytshëm, por edhe i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës.

“Bashkë shkëmbyem qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në vend dhe vizionin për një të ardhme më prosperuese për popullin dhe shtetin tonë. Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-të, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik”- ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka ndarë një fotografi nga ky takim.

Gabriel Escobar ka ardhur sot në Kosovë, ndërsa është bërë ditur se gjatë vizitës së tij, më 14.03.2024, do ta takojë edhe kryeministrin, Albin Kurtin.

Ai ka zhvilluar takim me presidenten Vjosa Osmani më 13.03.2024.

Escobar e ka quajtur vendim të rëndësishëm atë të Qeverisë kosovare për të urdhëruar Agjencinë Kadastrale që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses.

“Vendimi i sotëm për Manastirin, sa ishte i vështirë është edhe i rëndësishëm, dhe i falënderoj institucionet për këtë hap” – nisi fjalën e tij Escobar në konferencën e përbashkët për media.