Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar Hashim Thaçin e Kadri Veselin në Hagë.

Vizita e tij, Krasniqi tha se u bë me qëllim për të shprehur edhe një herë respektin dhe mirënjohjen për kontributin e tyre historik.

“Liria jonë – ishte lufta e tyre. E ardhmja jonë – ishte misioni i tyre. Kosova – ishte dhembja dhe dashuria e tyre. Dje, sot e përgjithmonë – ata janë krenaria jonë.  Dielli do të lind përsëri” – tha Krasniqi.

Vizita në Hagë është realizuar në ditën e njëjtë kur në Prishtinë është thirrur një protestë. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përkrahur këtë protestë pasi kërkesa e tyre për përfshirje në Ligjin për pagën minimale tash e sa kohë përsëritet.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Të gjitha raportimet në lidhje me gjykimin e tyre në Hagë mund t’i lexoni në këtë LINK.