Krasniqi tregon arsyen pse PDK nuk ka dërguar komente në ZRrE lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka shkruar se kjo parti nuk ka dërguar komente për këtë çështjen e tarifave të reja të energjisë elektrike në adresë të ZRRE, sepse ato sipas tij i kanë bërë publike në vazhdimësi.

“Ne konsiderojmë se përtej komenteve formale, ZRRE në vendimin e saj duhet të marrë për bazë të gjitha diskutimet publike, qëndrimet politike dhe deponimin qytetar në lidhje me kërkesën për ngritje të çmimit të energjisë elektrike”, tha Krasniqi.

I pari i PDK-së shtoi se si parti politike, në vazhdimësi kanë paralajmëruar se do të ketë krizë energjetike në Kosovë dhe se qëndrimi i tyre në paraqitjet publike ishte kundër rritjes së çmimit të energjisë.

“Për këtë kemi ftuar edhe seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku i kemi dhënë edhe propozimet tona, si dhe kemi ofruar argumente profesionale përgjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti”, tha ai.

Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka konsideruar se vendosja e bllok tarifave për çmimin e energjisë nga ana e ZRRE është veprim i gabuar që sipas tij i trajton padrejtësisht shumicën e qytetarëve dhe si i tillë është vendim politik i ndikuar nga Qeveria e Kosovës, që do ta rëndojë edhe më tepër xhepin e qytetarëve të Kosovës.

“Po ashtu, rritja e paralajmëruar nga ZRRE prej 42 për qind në total, e që për shumë konsumatorë do të shkojë në mbi 100%, është e pashembullt, e panevojshme dhe e paarsyeshme. Edhe më keq, propozimi i ZRRE nuk i përfshin fare komunat në veri të vendit, të cilat edhe ashtu nuk paguajnë fare energji. Kjo ndarje është e paligjshme dhe e padrejtë ndaj qytetarëve të tjerë  të Republikës së Kosovës. Përtej kësaj, ky është një rrezik që avancon tendencat autonomiste në veriun e vendit”, shtoi Krasniqi.

Ai tha se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për çdo vendim në lidhje me përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike që do ta marrë ZRRE dhe çfarëdo arsyetimi sipas tij është vetëm në funksion të ikjes nga kjo përgjegjësi që e kanë.

“PDK do ta kundërshtojë çfarëdo vendimi për rritje të çmimit të energjisë në këtë fazë, duke i shfrytëzuar të gjitha instrumentet ligjore në dispozicion”, përfundoi Krasniqi.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.