Sveçla, Krasniqi e Atiqi vizitojnë shtëpitë e shqiptarëve në veri mbi të cilat u vizatuan grafite: Kërcënimet nuk na trembin

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi së bashku me kryetarin e Mitrovicës së Veriut Erden Atiq kanë vizituar shtëpi që po ndërtohen në Mitrovicën e Veriut e mbi të cilat u shkruan grafite me përmbajtje nacionaliste serbe.

Nga atje, Sveçla tha se parullat ekstremiste nuk kanë vend në Kosovë.

“Çfarëdo gjuhë e urrejtjes ndëretnike dhe që ndjell dhunë, është e dënueshme, akterët do të zbulohen dhe do të vihen para drejtësisë. Siç e kemi thënë edhe më herët, për Serbinë dhe Rusinë nuk ka vend në Kosovë”- deklaroi Sveçla në një video të cilën e ka shpërndarë ministri Elbert Krasniqi në Facebook.

Krasniqi në anën tjetër tha se secili qytetar e ka të drejtën për tu kthyer në shtëpi dhe se Qeveria do e garantojë këtë të drejtë.

“Vitin që lamë pas, si Qeveri kemi fillu me ndërtimin e mbi 40 shtëpive në veri të vendit. Këto grafitë tregojnë që Serbia nuk është e interesuar për normalitet dhe orientim europian. Kjo tregon se ku është e orientuar Serbia por këto neve si Qeveri nuk na trembin, nuk do të ndalemi me ndërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët”- deklaroi Krasniqi.

Ministri Krasniqi tha se shumë shpejt hapet thirrja prej 3 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të reja.