Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: Do të mundohemi të krijojmë standard për pagesën e taksave në komuna

Ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë Kurti 2, Elbert Krasniqi, nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, ka thënë se do të vendosin një standard në pajtueshmëri me komunat që pagesa e taksave  të bëhet njësoj në të gjitha komunat.

Problemi me pagesat komunale është që nuk ka një standard që kufizon se sa duhet të paguhet për të marrë një shërbim komunal.

Krasniqi në emisionin “Kallxo Pernime” tha se krahas që do të mundohen të krijojnë një standard për pagesat komunale do të lejojnë që edhe vetë komunat të kenë autonomi në këto politika  për shkak se secila komunë i ka specifikat e veta.

“Do të bëhet një vlerësim më i detajizuar dhe besoj që një zgjidhje e mirë do të ishte vendosja e një standardi që nuk do e tejkalojë as si minimum as maksimum. Mirëpo që besoj që një kornizë e maksimumit dhe minimumit duhet të vendoset dhe do të koordinohemi me Asocacionin e komunave të Kosovës dhe kryetarët e komunave”, ka thënë ai.

Sipas tij, zgjidhjen e këtij problemi për pagesa të ndryshme për dokumentacione nëpër komuna do mundohen ta zgjidhin edhe duke marrë shembuj nga puna e tyre.

“Duhet të marrim praktika brenda komunave se kush ka bërë më mirë dhe kush më keq në mënyrë që ta gjejmë një zgjidhje” thotë ai.

www.kallxo.com