Krasniqi: Bashkësia ndërkombëtare të nis hetim ndaj Serbisë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare hetim emergjent për lidhjen e shtetit serb me sulmin terrorist në Banjskë të Zvçanit.

Sipas tij, ky sulm ka adresën në Beograd.

Ai përmendi elementet që dëshmojnë lidhjen e Serbisë me këtë sulm.

“Sot i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar për hetim emergjent për të hetuar përfshirjen e shtetit serb në këtë sulm. Bashkësia ndërkombëtarë ta njoh agresionin e vazhdueshëm. Konfirmimi i përfshirjes se Radoiçiqit, armatimi, strehimi në Serbi, shpallja e ditës zie tregojnë lidhjen me grupin”.

“Kërkojmë edhe mbështetjen e aleatëve të ngrisin presionin mbi Serbinë”- tha ai.

Krasniqi tha se PDK ka ofruar mbështetje për institucionet e Kosovës pas këtij rasti.

Ai tha se për partinë që udhëheq interesi nacional mbetet mbi të gjitha.

“Ne mbështesim propozimin për një rezolutë për të dënuar sulmin terrorist në vendin tonë. Sot nuk do të flasim për betejat e brendshme politike. Duhet të jemi në krye të detyrave dhe përgjegjësive tona”- shtoi ai.

Më 24 shtator 2023, rreth orës 03:00, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një grup i personave të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Grupi i armatosur më pas ka hyrë në oborrin e manastirit të Banjskës në Zveçan. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë gjatë ditës se personat e armatosur janë rrethuar nga policia tek manastiri i Banjskës në Zveçan, në afërsi të të cilit është vrarë edhe polici Afrim Bunjaku, në orët e para të së dielës më 24 shtator 2023, e janë lënduar dy të tjerë.

Sipas informacioneve zyrtare, tre pjesëtarë të grupit sulmues janë vrarë nga ballafaqimi me armë zjarri me forcat e rendit të Kosovës dhe tre të tjerë, të arrestuar, të cilët tani gjenden në paraburgim.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi si vepër penale.