Parregullsi në rezultate, më shumë vota për kandidatë se për parti

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror Zgjedhor, është rekomanduar rinumërimi i 530 vendvotimeve.

Ky rekomandim u votua nga anëtarët e KQZ-së por të cilët më pas edhe dhanë disa arsyetime të tyre.

Adnan Rrustemi nga VV e quajti fenomen rinumërimin duke shtuar se kjo po përsëritet tashmë në çdo palë zgjedhje.

“Është shqetësuese përqindja e lartë e rinumërimit. KQZ po dështon në trajnimin e komisionarëve”, tha ai.

Tutje ai shtoi se të gjitha rastet e vendvotimeve ku ka parregullsi do të dërgohen në prokurori.

Ai kërkoi që numërimi të jetë më i shpejtë.

“Do t’i dërgojmë në Prokurori të gjitha vendvotimet që shkojnë në rinumërim. Unë kërkoj nga sekretariati që t’i shtoj kapacitet që rinumërimi të shtoj dinamikën, rinumërimi është i ngadalshëm”, shtoi ai.

Sami Hamiti një tjetër, anëtar i KQZ-së tha se nëse del se ka mospërputhje, të gjitha vendvotimet do të procedohen në prokurori.

“Nëse del se ka mospërputhje, të gjitha vendvotimet do të shkojnë ne prokurori. Unë e mbështes propozimin e QNR që të shkohet në rinumërim të plotë të atyre vendvotimeve”, tha ai.

Gjithashtu në mbledhjen e sotme, Koordinatori i Qendrës se Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj ka treguar se gjatë ditës së djeshme ka filluar dhe mbaruar procesi i numërimit të votave me postë.

“13,241 vota te vlefshme nga zarfet e pranuara nga jashtë vendit. Sa i përket votave me kusht jemi tu punu dhe se shpejti do të filloj numërimi i tyre”, tha ai.

Ai tregoi edhe se është një numër i marr i vendvotimeve që nuk mund të procedohen si të rregullta.

Janë edhe 149 vendvotime për të cilat Ahmetaj propozoi te rinumërohen.

“Kategoria e formularëve të cilët kane probleme teknike si psh ne disa raste kane munguar faqet e rezultateve. Ne disa raste ka me shume fletëvotime se qe janë te shënuara ne formular te rezultateve. Pastaj ka raste kur votat nuk janë shpërnda drejt. Te gjitha këto raste i kemi shenu dhe rekomandohet rinumërimi i 81 vendvotimeve”, tha ai.

Tutje ai përmendi edhe një kategori tjetër ku kandidatët kanë më shumë vota se sa subjekti.

“Është edhe një kategori ku të gjithë kandidatet kanë më shume vota se sa subjekti. Janë 187 vendvotime në këtë kategori që rekomandohet me u rinumëru. Te gjithë këta formularë të rezultateve nuk mund të procedohen, në total janë 535 vendvotime që duhet me u rinumëru”, tha ai.

Më 6 tetor, Kosova pati zgjedhje të jashtëzakonsme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Deri më tani tri partitë e para që kanë dalë nga votat deri më tani të numëruara, kryeson LVV pastaj LDK dhe e treta PDK.