Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në 370 vendvotime që do të rinumërohen, kadidatët kanë pasur më shumë vota se subjektet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërimin e 494 vendvotimeve në disa nga komunat e vendit.

370 nga këto vendvotime do të rinumërohen pasi është vërejtur se kandidatët për deputetë kanë pasur më shumë vota se subjektet e tyre.

“Në formularët e rezultateve të kandidatëve, në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, ka njoftuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi tutje ka shtuar se në 83 vendvotime të tjera është hasur në raste kur kandidatët për deputetë kanë pasur vota ndërsa subjektet e tyre jo dhe anasjelltas.

Ndërsa, vendvotimet e tjera sipas Elezit kanë shkuar në rinumërim për shkak të problemeve teknike.

“Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve 35 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak se është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve ndërsa në 6 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak të problemeve teknike”, tha ai.

Në përgjithësi, numri i vendvotimeve të rinumëruara deri më tani me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë dhe 12 vendvotimet e rinumëruara javën e kaluar, është 506 vendvotime.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt dhe sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, e ndjekur nga PDK dhe LDK.