Daka: Për rinumërimin total të votave nevojitet arsyetim ligjor

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, thotë se dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë e kanë dëmtuar procesin zgjedhor, por ajo nuk beson se ka arsye për rinumërim total të votave.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në KQZ, Ibrahim Selmanaj, në mbledhjen e së mërkurës të këtij institucioni që është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, kërkoi rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Valdete Daka thotë se duhet pritur rezultatin e hetimeve të prokurorisë, por ajo është e bindur se manipulimi nuk ka karakter të përgjithshëm.

“Fatkeqësisht kjo (me komisionerët) po na përsëritet”, tha Daka.

Sipas saj, komisionerët e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) duhet t’i nënshtrohen një kontrolli më rigoroz të së kaluarës së tyre dhe KQZ-ja nuk ka ndonjë mekanizëm tjetër për të mbrojtur integritetin e votës.

“Tash ne flasim për organizim të zgjedhjeve, ne asnjëherë nuk mund ta dimë se personat, të cilët angazhohen, janë të tillë. Ata nuk janë staf i yni. Ata janë staf, i cili vjen nga subjektet politike dhe ne nuk e dimë se a do ta bëjnë ndonjë gjë, e cila do ta dëmtojë imazhin”, shtoi ajo.

Fakti që Kosova në vazhdimësi po mban zgjedhje të parakohshme parlamentare, sipas Dakës, po ndikon që edhe vetë KQZ-ja të mos jetë në gjendje që të mësojë nga gabimet apo të metat e proceseve paraprake.