Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ vendosë për rinumërimin edhe të 58 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka miratuar rekomandimin e kryeshefit ekzekutiv të Sekretariatit, Burim Ahmetajt për rinumërimin e 58 vendvotimeve.

Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  tha se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), janë duke u zhvilluar dy aktivitete, rinumërimi i 494 vendvotimeve dhe shërbimi votues i KQZ-së.

Ahmetaj tha se janë ngrit kapacitetet në mënyrë që rinumërimi të kryhet sa më shpejtë, duke shtuar se do të rriten kapacitetet edhe në shërbimin votues.

Deri tani sipas tij janë rinumëruar 220 vendvotime dhe në proces janë 40 të tjera.

Ahmetaj tha se shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 34 mijë e 2 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 41 mijë e 280 zarfe me fletëvotime dhe 16 mijë e 288 zarfe të refuzuara”, tha ai.

Ahmetaj ka treguar edhe arsyet e mos aprovimit të fletëvotimeve nga jashtë.

Sipas tij 7 mijë e 281 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, 5 mijë e 192 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore, 1 mijë e 126 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë, 2 mijë e 17 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor) dhe 672 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim.

Ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërimin e 494 vendvotimeve në disa nga komunat e vendit.

370 nga këto vendvotime do të rinumërohen pasi është vërejtur se kandidatët për deputetë kanë pasur më shumë vota se subjektet e tyre.

Elezi: Deri më tani janë rinumëruar 161 nga 494 vendvotime