Valmir Elezi - Foto: KALLXO.com

Elezi: Deri më tani janë rinumëruar 161 nga 494 vendvotime

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se ky institucion është duke vazhduar me përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore me qëllim të përmbylljes së procesit zgjedhor.

“Pikërisht me qëllim që KQZ të mund të shpallë sa më shpejt rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët, ka shtuar kapacitetet e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), e po ashtu, edhe kapacitetet e shërbimit votues që po bën vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës”, tha ai.

Elezi tha se deri më tani janë rinumëruar rreth 33% e vendvotimeve apo 161 nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre.

“Arsyet tashmë i kemi bërë të ditura, por po i rikujtoj se kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime)”, tha Elezi.

Elezi ka treguar se në këtë qendër, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 31 mijë e 164 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 35 mijë e 834 zarfe me fletëvotime dhe 14 mijë e 200 zarfe të refuzuara”, tha ai.

Elezi ka treguar se arsyet e mosaprovimit të votave janë të ndryshme.

“6 mijë e 309 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 4 mijë e 521 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 991 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 1 mijë e 808 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 571 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”, tha ai.

Ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërimin e 494 vendvotimeve në disa nga komunat e vendit.

370 nga këto vendvotime do të rinumërohen pasi është vërejtur se kandidatët për deputetë kanë pasur më shumë vota se subjektet e tyre.

Në 370 vendvotime që do të rinumërohen, kadidatët kanë pasur më shumë vota se subjektet