PZAP urdhëron rinumërimin e votave të AAK-së, kandidatja e kësaj partie pretendon se votat i janë vjedhur nga bashkëpartiakja e saj

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e ka pranuar ankesën e kandidates për deputete nga radhët e AAK-së, Florentina Gjergjaj dhe ka urdhëruar KQZ-në që të rinumërojë të gjitha votat me kusht dhe ato nga diaspora, që i ka siguruar në zgjedhje AAK-ja.

“Apeli Anr.581-2021, i paraqitur nga Florentina Gjergjaj kandidate për deputete e AAK, është pranuar dhe është urdhëruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që të rinumëron fletëvotimet me kusht në të gjitha Komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, vetëm sa i përket kandidateve nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e PZAP-it.

Kandidatja e AAK-së Florentina Gjergjaj, ditë më parë ka pretenduar se votat për bashkëpartiaken e saj, Meliza Haradinaj- Stublla, janë vjedhur me qëllim që kjo e fundit të bëhet deputete.

Kurse, Haradinaj-Stublla i ka mohuar akuzat, duke paralajmëruar edhe padi. Megjithatë, në media këtë fundjavë është publikuar një audio-inçizim përmes së cilit pretendohet se është bërë sigurimi i votave për Haradinaj-Stublla, duke u ofruar komisionerëve në QNR, 6 mijë euro.

Sipas njoftimit të PZAP-it, kandidatët të cilët kanë apeluar vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve në PZAP do të njoftohen me kohë me vendimet lidhur me apelet e parashtruara dhe kundër këtyre vendimeve palët e pakënaqura mund të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda afatit ligjor prej 24 orëve nga momenti i pranimit të vendimit.

“Ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës ka për obligim që të marrë vendime lidhur më ankesat brenda afatit ligjor prej 72 orëve nga momenti i paraqitjes së tyre. Vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës janë përfundimtare”, thuhet në njoftim.