Qendra Komunale e Numërimit - Prishtinë Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

KQZ miraton planin e sigurisë për zgjedhjet, njofton se janë miratuar afër 132 mijë kërkesa për votim nga jashtë

Në Komisionin Qendror të Zgjedhejve është miratuar plani operacional i sigurisë për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës.

Qëllimi i këtij plani sipas KQZ-së është bashkëpunimi mes institucioneve për sigurinë e zgjedhjeve, koordinimin me organet e rendit dhe menaxhimin e situatave eventuale.

“Në vazhdim të mbledjes, KQZ mori vendim për miratimin e programit të trajnimeve dhe kurrikulës së trajnimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ky program do të përfshijë mijëra persona të cilët do të angazhohen në procesin zgjedhor, përfshirë ditën e zgjedhjeve, siç janë: trajnerët; anëtarët e Këshillave të Vendvotimit; anëtarët e ekipeve mobile për votimin e personave me nevoja të veçanta; numëruesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe stafin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.”- thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas tyre, ky plan i trajnimit ka për qëllim pajisjen me njohuri të stafit që do të angazhohet në zgjedhje për të gjitha procedurat e votimit dhe numërimit.

Stafi do të trajnohet për numërimin në vendvotim, votim me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta, procedurat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe procedurat për paketimin e materialit zgjedhor.

Në mbledhjen e KQZ-së po ashtu u prezantua një raport nga përfundimi i periudhës për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës dhe regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

“Në mbledhje u bë e ditur se KQZ ka pranuar 11,840 kërkesa për ndërrim të qendrës së votimit brenda komunës, prej të cilave janë aprovuar 11,276 dhe janë refuzuar 564 të tjera.”- thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Për regjistrimin e votuesve nga jashtë Kosovës, pasi u pranuar 142 mijë e 803 kërkesa për regjistrim, u aprovuan 131 mijë e 800 kurse 10 e 907 u refuzuan e 96 u anuluan.

KQZ miraton adresat dhe kutitë postare për votim nga jashtë Kosovës