Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ-ja nuk ka buxhet të planifikuar për zgjedhje

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese mbi votën e deputetit, Etem Arifaj  e ka rrëzuar  Qeverinë me në krye Avdullah Hotin. Sipas këtij vendimi vendi duhet të shkojë në zgjedhje 40 ditë pas shpalljes se tyre nga ushtruesja e deturës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani pritet që sot nga ora 13:00 të filloj takimet me liderët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Valmir Elezi nga Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë për KALLXO.com se duke marrë parasysh situatën me pandeminë COVID-19, organizimi i zgjedhjeve do të jete sfiduese për ta.

Elezi ka shtuar se ata janë në pritje të shpalljes se datës për zgjedhje në mënyrë që të fillojnë përgatitjet intensive për to.

“Jemi në kohë pandemie dhe sigurisht se këto zgjedhje janë sfiduese për faktin se KQZ-ja krahas përgatitjeve teknike për organizimin e këtyre zgjedhjeve duhet të merret edhe me zbatimin e masave apo rekomandimeve të institucioneve shëndetësore që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor”, tha Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së ka theksuar se nuk kanë të planifikuar buxhet për këtë proces zgjedhor, si rrjedhojë do t`i drejtohen Ministrisë së Financave.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për këtë proces zgjedhor i cili nuk është i planifikuar. Prandaj, KQZ-ja do të përgatis me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës në kohën kur shpallen këto zgjedhje”, tha tutje Elezi për KALLXO.com