Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Sot mbahet takimet e u.d Presidentes me partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve

Gjatë ditës së sotme do të mbahen takimet mes u.d të Presidentes Vjosa Osmani dhe partive politike për të vendosuR në lidhje me datën e zgjedhjeve në Kosovë.

KALLXO.com mëson se këto takime do të jenë individuale mes Osmanit dhe krerëve të partive politike.

Mbrëmë Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin me ç’rast kërkoi që Kosova të shkojë në zgjedhje brenda 40 ditësh pasi vota e deputetit Etem Arifi u konsiderua e pavlefshme në lidhje me formimin e qeverisë Hoti.

Mbrëmë kabineti i Osmanit njoftoi se sot priten të mbahen takimet që të caktohet data e zgjedhjeve të cilat do të mbahen në Kosovë.

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim rreth ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.

Kushtetuesja ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.

Përfundimet e vendimit të Gjykatës Kushtuese:

  1. Me datat 28 mars dhe 20 gusht 2019, Etem Arifi ishte dënuar me Aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, me një vit e tre muaj burgim. Më 6 tetor 2019, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Etem Arifi kandidoi dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 27 nëntor 2019, KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve dhe në listën e deputetëve të certifikuar ishte edhe Etem Arifi. Më 26 dhjetor 2o19, u mbajt mbledhja konstituive e Kuvendit ku u konfirmua mandati i Etem Arifit. Që nga ajo kohë, Etem Arifi vazhdoi të ushtronte funksionin e deputetit, edhe pse ndaj tij rëndonte një dënim gjyqësor i formës së prerë, për një vepër penale, me një vit e tre muaj burgim.
  2. Në këtë kërkesë kushtetuese, 17 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, për zgjedhjen e Qeverisë, të nxjerrë më 3 qershor 2020. Parashtruesit pretendojnë se Vendimi në fjalë është në kundërshtim me Kushtetutën, përkatësisht me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], në lidhje me nënparagrafin 6 të paragrafit 3 të nenit 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës. Kjo sepse, sipas parashtruesve, në procedurën e votimit të Vendimit të kontestuar ka marrë pjesë edhe Etem Arifi, vota e të cilit ishte e pavlefshme për shkak të dënimit të tij me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë.
  3. Gjykata vlerëson se, çështja themelore që ngërthen kjo kërkesë është se a kishte pasur mandat të vlefshëm Etem Arifi në kohën e nxjerrjes në Kuvend të Vendimit të kontestuar për zgjedhjen e Qeverisë (në votimin e të cilit ai kishte marrë pjesë).