Ilustrim - Qendra e votimit në Shkollën "Haziz Sylejmani" në Mitrovicën e Veriut

KQZ gjen zgjidhje alternative për vendvotimet në katër komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka gjetur zgjidhje alternative për vendosjen e qendrave të votimit në katër komunat në veri të vendit, ku më 21.04.2024 do të votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të tanishëm komunalë.

Kjo zgjidhje është bërë pas refuzimit të 33 drejtorëve të shkollave për t’i ofruar hapësirat shkollore si vendvotime.

Kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, në një përgjigje për KALLXO.com tha se kanë gjetur zgjidhjet alternative dhe po përgatisin raportin që do të miratohet nga KQZ.

“Si zgjidhje alternative kemi gjetur objekte publike që i përkasin administratës së komunës” – tha ai.

Lokacionet e sakta, sipas tij, do të bëhen të ditura tek pas miratimit nga KQZ.

Në mbledhjen që KQZ mbajti më 17.04.2024, Ahmetaj bëri të ditur se vetëm 10 shkolla janë të qasshme për vendvotime, ndërsa 33 shkolla të tjera jo, për shkak të refuzimit nga ana e drejtorëve të shkollave.

Arsyetimet e drejtorëve të shkollave, sipas tij, kanë qenë se më 21 prill kanë planifikuar aktivitete shkollore, kulturore e të tjera.

Ahmetaj në këtë mbledhje tha se po punojnë intensivisht në gjetjen e lokacioneve alternative që do të shërbenin për votim dhe se po bënin  maksimumin për hapjen e qendrave të vendvotimeve.

I pyetur sot, se a kanë bindur ndonjë prej drejtorëve për të ofruar hapësirat e shkollave për vendvotime, ai tha: “Ligji le t’i bind ata. Ne s’kemi kohë me e bind askënd”.

Për këtë çështje, Ahmetaj ka treguar se kanë ftuar në takim kryetarët e komunave, drejtorët e arsimit dhe drejtorët e shkollave, ku këta të fundit nuk kanë marrë pjesë.

“Pas dorëheqjes së anëtarëve të KKZ-së, përfaqësuesve të Listës Serbe, nga data 6 prill e tutje, KKZ nuk ka mundur të komunikojë me disa drejtorë të shkollave. Kemi pasur qasje refuzuese me pretendimin se shkollat nuk do të lejohen për t’u përdorur si qendra të votimit në këto komuna” – tha Ahmetaj.

Në mbledhjen e KQZ-së u tha se refuzimi i bashkëpunimit nga zyrtarët publikë me Komisionet Komunale Zgjedhore është shkelje e ligjit dhe se ata duhet të ndiqen penalisht.

Votimi i të dielës vjen pas nënshkrimit të peticioneve për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave në fillim të këtij viti.

Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit nuk i pranuar rezultatet e tyre.

Së voni ata pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.

Kjo u arrit falë Udhëzimit Administrativ që u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim që t’i hapte rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.