Zgjedhjet Qendrore 2021, KQZ, kutia e votimeve

KQZ cakton afatin kohor për zëvendësimin e kandidatëve të vdekur në Pejë

Këshilli Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar afatin kohor për zëvendësimin e kandidatit për kryetar të Komunën e Pejës nga radhët e PDK-së.

Astrit Demaj, kandidat i PDK-së mbeti i vrarë të mërkurën në mbrëmje pas disa të shtënave me armë. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë edhe Blerand Kadriaj.

Nga KQZ thanë për KALLXO.com se Partia Demokratike e Kosovë ka kohë që deri të hënën në ora 11:00 të propozoj kandidatin e ri.

“KQZ – ja ia ka mundësuar PDK – së që deri të hënën në ora 11:00 të bëjë zëvendësimin e kandidatit në Pejë”, thanë nga KQZ për KALLXO.com.

Ata treguan se një afat i njëjtë kohor është caktuar edhe për zëvendësimin e Pajazit Podrimçakut, kandidat për Kryetar nga Partia Balliste në të njëjtën komunë.

“Po ashtu edhe për z. Podrimaqakun që ka ndërruar jetë, edhe për të është deri të hënën”, thanë nga KQZ .

Zëvendësimi i këtyre kandidatëve do të bëhet pasi që të dy kanë vdekur.

Pajazit Podrimçaku ka vdekur pasi një sëmundje të shkurtër që ai kishte.

Ndërsa Astrit Ademaj, kandidati për kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK -së ka mbetur i vrarë në një incident ku u vra dhe Blerand Kadrijaj, ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Deçanit në zgjedhjet e 2017 – ës, pas të shtënave me dy pistoleta.

Deri më tani është i arrestuar vëllai i Astrit Ademajt, Avni Ademaj i cili është i plagosur në krah.

Mirëpo, sipas pamjeve që janë siguruar nga hetuesia dhe Prokuroria në Pejë dyshimet janë se në rast ka qenë edhe një person tjetër.

Prokuroria nuk ka dalë ende me një version zyrtar për motivet e kësaj ngjarje, ndërsa personi i vetëm i paraburgosur deri më tani është personi i plagosur.

Dy viktimat sipas konfirmimit të Spitalit Rajonal të Pejës ishin pranuar pa shenja jete ndërsa i plagosuri është trajtuar më pas është intervistuar në lidhje me ngjarjen.

Zëvendësimi i këtyre kandidatëve bazohet në Ligjin Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Sipas Nenit 28 të këtij Ligji Tërheqja apo Zëvendësimi i Kandidatëve dhe Subjekteve Politike ndodhë në rast të vdekjes së kandidatit para mbajtjes së zgjedhjeve, një subjekt politik, nismë qytetare apo koalicion mund të zëvendësojë kandidatin e vdekur brenda një date të caktuar nga KQZ-ja.