Ilustrim

Dyshime se në incidentin me armë në Pejë ishin të përfshirë katër persona

Dy persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e plagëve të marra nga armët e zjarrit dhe një tjetër është plagosur në krah.

Deri më tani i arrestuar nën dyshimet se është i përfshirë në incident është Avni Ademaj, vëllai i kandidatit të PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademajt, i cili u vra mbrëmë.

Përveç Astrit Ademajt, Blerand Kadrijajt, Avni Ademajt, të cilët zyrtarisht kanë qenë të përfshirë në rast, sipas pamjeve që janë siguruar nga hetuesia dhe Prokuroria në Pejë dyshimet janë se në rast ka qenë edhe një person tjetër.

Avokati Gëzim Kollçaku ka treguar për pamjet e vendit ku ka ndodhur vrasja ndërsa përmend se Blerand Kadrijaj sipas pamjeve ka qenë i shoqëruar edhe nga një person tjetër.

“Prokurorja më ka thënë që sipas kamerave kanë qenë katër persona aty. Me atë (Blerand Kadrijaj) ka qenë edhe një person tjetër. E gjithë kjo në bazë të prokurores sepse i ka shiku kamerat, ato kamera do t’i shikoj edhe unë nesër”, tha Kollçaku.

Deklarata e Avni Ademajt para hetuesisë zbardh edhe se vëllai tij Astrit Ademaj është kërcënuar nga Blerand Kadrijaj.

“Ky (Avni Ademaj) po thirret në atë që ai i Deçanit (Blerand Kadrijaj) e paska kërcënuar edhe në këto deklarata po thirret. Ka qenë në stres gjithë kohës edhe ky (Avni Ademaj) mezi ka folë për shkak të plagosjes”, shton tutje avokati Kollçaku.

Ende nuk ka një version zyrtar se kush e nisi konfliktin në incidentin me armë ku mbetën të vrarë dy persona mbrëmë në Pejë.

Hetuesia tashmë ka në dorë edhe disa pamje të cilat mund të zbardhin në tërësi ngjarjen e rëndë në të cilën mbetën të vdekur Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj.

Kështu ka thënë avokati Gëzim Kollçaku, i cili po mbron të plagosurin e këtij rasti, Avni Ademaj, i cili nga të shtënat me armë kishte marrë plagë në krah.

“Janë disa pamje të kamerave, janë siguruar edhe ato nga policia. Hala nuk i kam parë kamerat por ka pamje. Unë ende nuk kam arritur t’i shoh sepse sot kemi qenë në vendin e ngjarjes për një 2-3 orë pastaj kemi qenë në intervistë në Prishtinë sepse e kanë marrë rastin Krimet e Rënda dhe nuk kam mbërri me i pa kamerat”, tha avokati Kollçaku.

Disa orë pas ngjarjes, Avni Ademaj, i plagosuri në ngjarjen e mbrëmshme në Pejë, është rrëfyer para hetuesve të Policisë së Kosovës për rrethanat se si ai e kishte parë ngjarjen.

Ademaj për momentin është person i dyshuar në ngjarjen ku mbeti i vrarë vëllai i tij, Astrit Ademaj, dhe Blerand Kadrijaj.

KALLXO.com ka arritur të sigurojë të dhëna të cilat zbardhin rrëfimin që Avni Ademaj u ka dhënë hetuesve.

Edhe pse dëshmia e tij është dhënë në cilësinë e personit të dyshimtë ajo ofron njërin nga versionet e para të kësja ngjarje.

Sipas avokatit Gëzim Kollçaku Avniu nuk ka qenë prezent në kohën kur ka nisur konflikti.

“Ai po thotë se kam dëgju zhurmë, kur ka mbërri aty ka pa breshëri armësh mes dy personave, dy revole janë gjetur në vendin e ngjarjes, Klienti ka thënë që ka ndërhy edhe është qëllu edhe ky”, tha avokati Kollçaku deri sa shton se kanë filluar hetimet dhe është bërë edhe propozimi për caktim të paraburgimit nga ana e prokurorisë në Pejë.

Tutje avokati Kollçaku shton edhe se klienti i tij në intervistë ka thënë se nuk ka gjuajtur me armë dhe se i përfshirë në rast ka qenë vetëm vëllai i tij.

“Ka thënë në intervistë se nuk ka shanca ai me qenë i përfshirë apo me gjujt, s’ka qenë i përfshirë ai ka deklaru për vllaun e tij edhe ai tjetri. Të shohim nesër se në çka po bazohet prokurorja sepse nuk është marrë në pyetje asnjë dëshmitarë as nuk ka pasur dëshmitar okular që me thanë po i kam parë”, tha në fund avokati.

Kollçaku ka përshkruar edhe momentin kur sipas tij është plagosur klienti i tij.

“Klienti im mbahet për momentin në spital pasi është i plagosur në dorë. Ai u ka thënë hetuesve se kur është future në lokal personi tjetër nga pozicioni ku ka qenë i shtrirë ka qëlluar edhe dy plumba njëri prej të cilëve e ka goditur në krah” ka thënë Kollcaku.

KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin që ndodhi mbrëmë në Pejë.

Astrit Ademaj kandidat i PDK-së për Pejë dhe Blerand Kadrijaj ish kandidat i PDK-së për Decan në zgjedhjet e 2017 mbetën të vrarë nga të shtënat me dy pistoleta.

Ngjarja ende vazhdon të mbetet mister pasi prokuroria nuk ka dalë ende me një version zyrtarë për motivet e kësaj ngjarje ndërsa personi i vetëm i paraburgosur deri më tani është personi i plagosur.

Viktimat sipas konfirmimit të Spitalit Rajonal të Pejës ishin pranuar pa shenja jete ndërsa i plagosuri është trajtuar më pas është intervistuar në lidhje me ngjarjen.

Për incidentin me armë në Pejë kanë reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës ndërsa gjatë ditës së sotme të njëjtit kanë anuluar të gjitha planifikimet në shenjë nderimi për Ademajn dhe Kadrijajn.