Gazetarja ukrainase, Lyudmila Lukianchenko

Kosova shtëpi e “përkohshme”, por e ngrohtë për gazetarët ukrainas

Që nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë, ndonëse shtet i vogël e me pak kapacitete, Kosova ka ofruar strehim dhe mundësi për punë nga distanca, për rreth 20 gazetarë ukrainës. Lyudmila Lukianchenko është ndarë me vajzën dhe nënën që gjashtë muaj, ato në Kiev e kjo në Prishtinë.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, gazetarja ukrainase ka shprehur përshtypjet pozitive, falënderimin për ndihmën, si dhe admirimin për qëndrimin e Kosovës krah Ukrainës, përballë agresionit rus.

Sirena e alarmit paralajmëron se në çdo moment ju mund të jeni caku i radhës i një sulmi ajror. E pazakonta është kthyer në realitet e përdishtmëri për mbi 38 milionë ukrainas që nga pushtimi rus.

Vuajtje e vëshitrësi përjetojnë të gjithë sidomos nënat, ndër to edhe gazetarja Lyudmila Lukianchenko. Ka gjashtë muaj që jeton në Prishtinë, e çdo mëngjes zgjohet me ankthin se do të pranojë lajme të këqija nga e bija, Lisa dhe nëna, të cilat jetojnë në Kiev.

“Vajza ime qëndron në Kiev, dhe mëngjesi im kur zgjohem fillon duke bisedu me të, fillimisht e pyes si është. Pastaj unë e kam një aplikacion në telefon që tregon për alarmet e bombardimeve në kryqytet dhe në t’gjithë Ukrainën. Në këtë kohë vajza ime së bashku më nënën time, shkojnë nëpër tunele për t’u mbrojtur edhe nuk kanë çasje në rrjet. Por pastaj kur dalin nga tunelet më kontaktojnë mua edhe na tregojnë që janë mirë” – ka deklaruar Lyudmila Lukianchenko, Gazetare nga Ukraina.

Dy njerëzit më të rëndësishëm në jetën e saj janë nëna dhe vajza 26-vjeçare. Madje Lisën figurativisht e cilëson “projektin” më të suksesshëm në jetën e saj. Përshkrimin e ka specialitet, përparësi që e ka fituar përgjatë 16 viteve punë në radion Kombëtare të Ukrainës.