Kosova për herë të parë detekton variante të COVID-19

Sot në vend u regjistruan 9 rastet e para të variantit Omicron të COVID-19.

Kjo është hera e parë që Kosova detekton variante të reja të COVID-19. Herave të tjera, mostrat janë dërguar në shtete të jashtme kryesisht në Gjermani për të kuptuar variantet e COVID-19.

Kjo është arritur pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dhënë kit-e shtesë Kosovës.

“Testimi i këtyre mostrave është kryer me RT PCR dhe kit-e shtesë të pranuar përmes OBSh-së”, ka bërë të ditur përmes një njoftimi IKShPK.

Nga 9 rastet e detektuara, 2 raste janë të importuara nga SHBA-të, 2 raste janë të importuara nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, 1 rast është i importuar nga Franca dhe 4 raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës,  të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.

Omicron është variant i virusit që shkakton COVID-19. 

Sot në vend janë shënuar edhe 12 raste pozitive me COVID-19 dhe 1 viktimë.