Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosova ndan 100 milionë euro FSK-së për 2022, Serbia nga 2015 ka investuar 1.4 miliardë në ushtri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në të cilën u miratua buxheti për vitin 2022, tha se buxheti për FSK-në në vitin e ardhshëm do të jetë 100 milionë euro.

Kryeministri tha se ky është buxheti më i madh për FSK-në që është ndarë deri më tani. Kapacitetet ushtarake në rajon, janë shumë më të mëdha se ato që ka Kosova. Gjithsesi, Forcat e Armatosura të Kosovës, janë trupë e re dhe në fillet e zhvillimit e po ashtu mundësia financiare e Kosovës për të investuar më shumë në çështjet ushtarake është më e limituar. Por shikuar statistikat e fqiut verior Serbisë, shihet se ky vend në vazhdimësi investon vlera të mëdha në ushtri.

Nga viti 2015, Serbia në ushtri ka investuar hiç më pak se 1.4 miliardë euro, që i bie rreth 230 milionë euro në vit.

Megjithatë, Kosova nga viti në vit, ka shtuar buxhetin për FSK-në. Në vitin 2017 forcën mbrojtëse të Kosovës kishte ndarë 47 milionë e 600 mijë euro. Në vitin 2018 ishte 49 milionë e 700 mijë euro. Në vitin 2019 buxheti për FSK ishte 54 milionë e 500 mijë euro. Në vitin 2020 ishte 65 milionë e 100 mijë euro, kurse në vitin 2021 ishte 63 milionë e 100 mijë euro.

Në total, që nga viti 2017 Kosova ka investuar 280 milionë euro në ushtri, ndërsa nëse llogaritet edhe viti 2022, investimi në Ushtrinë e Kosovës shkon në 380 milionë euro.

Ndërmjet viteve 2015 dhe 2021, shpenzimet e mbrojtjes të Serbisë u rritën me rreth 70% në 1.4 miliardë dollarë në vit. Gjithashtu shteti serb, ka marrë edhe shumë donacione ushtarake nga disa shtete, veçanërisht nga Rusia dhe Bjellorusia që, pos tjerash, i kanë dhënë asaj dhjetë avionë MIG-29. Rusia i ka dhënë asaj 30 tanke dhe transportues të blinduar si dhe i ka shitur një sistem të mbrojtjes ajrore. Serbia ka blerë dronë të blinduar kinez, helikopterë rusë dhe një sistem raketor francez tokë-ajër.

Ndërsa Kosova në gusht të këtij viti, ka marrë donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 50 mjete ushtarake të blinduara. Në muajin korrik po ashtu të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 4.5 milionë euro shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes për blerje të dronëve.

Kurse në qershor po ashtu të vitit 2021, Ushtria e Kosovës është pajisur me disa autoblinda, gjithashtu donacion nga Amerika.

E në janar të vitit 2021, ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Anton Quni, kishte bërë të ditur se Kosova ishte furnizuar me snajperë të teknologjisë së fundit.

E në anën tjetër, kryeministri aktual Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit kishte premtuar se do ta bëjë shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Ai kishte thënë se plani i tij është që ta bëjë  6 muaj ushtrinë të detyrueshme, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit.