Autonilda Foto, Ministria e Mbrojtjes

Autoblindat e reja Amerikane për Ushtrinë e Kosovës

Autoblindat të cilat i posedon Forca e Sigurisë së Kosovës janë të llojit ‘Automjet i blinduar i Sigurimit’ apo ASV M1117.

Ndryshe kjo autoblinda njihet edhe me emrin “Guardian” apo në shqip ‘Mbrojtësi”.

Thuhet se “M1117” është nga automjetet e para ushtarake amerikane që u ndërtua për rezistencë ndaj minave.

Sipas, web faqes së Ushtrisë Amerikane këto autoblinda mund të kryejnë misione të ndryshme duke përfshirë skautët, transportuesit e personelit të këmbësorisë, zbulimin, komandimin dhe rimëkëmbjen.

“M1117 ASV përdoret nga Ushtria për policinë e saj ushtarake dhe mbrojtjen e kolonave dhe për ekipet e vëzhgimit të luftimeve.  Është një automjet me rrota 4X4 mjaft i lëvizshëm dhe i mbijetueshëm. Është projektuar për të siguruar mbijetesë maksimale me panele të blinduara të jashtme duke siguruar mbrojtje balistike kundër armëve të ndryshme të vogla”, thuhet në web faqen e Ushtrisë Amerikane.

Këtë lloj të autoblindave Ushtria e Kosovës e ka donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin për donacioni e këtyre autoblindave nga ana e ShBA-ve e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi në të cilin ministri kësaj ministrie, Armend Mehaj ka bërë inspektime në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.

“Në vazhdën e vizitave nëpër njësitë e FSK-së, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, sot vizitoi Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, me qëllim të njoftimit lidhur me automjetet e blinduara të tipit ASV të donacionit të ri të SHBA-së”, thuhej në njoftim,.