Pak deputetë në seancë | Foto: KALLXO.com

Kosova me rezolutë për heqjen e roaming-ut me Shqipërinë

Më 69 vota për dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovë kanë miratuar Propozim-rezolutën  për heqjen e Romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Ky propozim është bërë nga deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

“Nisma rrit mobilitetin  dhe komunikimin mes dy vendeve por edhe njerëzve. Po ashtu e ulë edhe koston mes qytetarëve tanë që janë në pushim, bëhet fjalë për miliona euro që  paguajmë. Ndonëse në fillim mund të ketë rënie në të ardhura, shumë shpejt kjo kompensohet për shkak të sasisë së rritur të komunikimit”, tha Molliqaj.

Ai tregoi se gjatë takimeve që kishte pasur me përfaqësues të ARKEP dhe AKEP-it ka dal se qytetarët e Kosovës shpenzojnë miliona euro për thirrje në Shqipëri.

“ Sipas asaj që kemi marrë të dhëna flitet për mbi 1 milion thirrje prej telefonave të Kosovës apo kompanive të Kosovës në drejtim të Shqipërisë dhe mbi 1 milion pranim thirrje të qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë kohës sa qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi Molliqaj.

Ai tha se kjo rezolutë parasheh disa pika si themelimin e komisioni Qeveri – Kuvend për heqjen e romingut, marrëveshje mes dy agjencive ARKEP dhe AKEP,  raportim në Kuvend i komisioni pas marrëveshjes etj.

Propozim – Rezoluta për heqjen e romingut mes Kosovës dhe Shqipërisë është përkrahur edhe nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili ishte i vetmi përfaqësues i Qeverisë së Kosovës në Kuvend.

“Pa protokoll,  jap mbështetje të plotë të qeverisë. Ju  vetëm votojeni”, tha shkurt Hoxhaj.

Ky propozim mori mbështetje edhe nga grupet parlamentare në Kuvend.

“Intervenimi për uljen e tarifave të romingut është një praktikë e BE-së. Një praktikë e tillë do të ofronte edhe operatorët tanë drejt euro-tarifave.  Çështja e heqjes së romingut është edhe më e rëndësishme mes Kosovës dhe Shqipërisë për shkak të shkëmbimeve më të shpeshta”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Ndërsa deputetja Mimoza Kusari- Lila në emër të grupit parlamentar të LDK-së, dha mbështetje të kësaj rezolute.

“ Ne si grup parlamentar i LDK-së mbështesim propozimin e PSD-së.  Unë uroj që kjo iniciativë dhe ky bashkëpunim të mos jetë vetëm i vullnetit të mirë që zakonisht nuk kanë zënë vend në letër”, deklaroi Kusari- Lila e cila më pas kritikoi dy shtetet për mos zbatim të shumë marrëveshjeve tjera që janë dal nga mbledhjet e dy qeverive Kosovë- Shqipëri.

E deputeti i AAK-së Muharrem Nitaj tha se ka një merak nëse kjo çështje i takon Kuvendit të Kosovës ose jo.

“ Ne deputetë te AAK-së i kemi dhënë mbështetje nismës së kolegut Dardan Molliqaj me një lloj meraku nëse realisht kjo çështje i takon Kuvendit të Kosovës ose jo. Për fatin e keq Kosova dhe Shqipëria nuk janë një palë dhe janë dy palë dhe nuk e kam të qartë se sa do të ishte obligative miratimi i një rezolute që të shtyhet kjo çështje përpara”, tha Nitaj.

Për deputetin e NISAMA Socialdemokrate, heqja e romingut mes Kosovës dhe Shqipërisë ka një domethënie të veçantë.

“Unë kam interes të dyfishtë sepse jam  dhëndër i asaj ane dhe komunikoj me vjehrrën dhe vjehrrin. Unë kisha sugjeru që bashkë me këtë rezolutë me kalu qytetarët kufirin më lehtë çdo vikend që bllokohen aty”, deklaroi Zeka.