Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosnett: Vuçiq zgjodhi Putinin, BE dhe ShBA ta kenë parasysh këtë

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e mban anën e Rusisë.

Kosnett ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian dhe ShBA ta kenë parasysh këtë qëndrim të tij.

“Siç duket Vuçiq i Serbisë ka zgjedhur Putinin në vend të Perëndimit – derisa pretendonte se duart e tij janë të lidhura nga opinioni publik dhe fshihet pas Kishës. Kjo nuk është udhëheqje; është frikacak moral. BE, SHBA ju lutemi kini parasysh”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Para dy ditësh, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paraqiti qëndrimin e Serbisë për situatën e krijuar në Ukrainë.

Vuçiq ka thënë se nuk është koha për të vendosur sanksione ndaj Rusisë duke shtuar se i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Vuçiq: Serbia i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës, nuk është koha për sanksione kundër Rusisë