Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konkursi për sekretarë të shkollave në Prizren përfundon në Prokurori

Prokuroria e Prizrenit po heton konkursin për sekretarë të shkollave në Komunën e Prizrenit.

Sipas Prokurorisë në Prizren, anëtarët e komisionit të këtij konkursi po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prizren në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit do të njoftoheni me kohë”- ka konfirmuar Fitore Mehmeti- Sejrani, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave në Prokurorinë e Prizrenit.

Në muajin gusht KALLXO.com kishte kërkuar informacione në lidhje me këtë konkurs por nga ana e Komunës së Prizrenit kishin deklaruar se procedurat për këtë konkurs ende nuk kishin përfunduar.

“Është mbajtur testi me shkrim,  Është mbajtur intervista me gojë. Sipas informacioneve të Kryetares së Komisionit Përzgjedhës për këtë procedurë, procesi i  kësaj procedure është në fazën e përgatitjes së rezultateve përfundimtare, ku në fund të kësaj procedure  merret vendim për përzgjedhjen e kandidatëve më të suksesshëm duke u bazuar në vendimin e tyre, Njësia e Burimeve Njerëzore publikon rezultatet në web-faqen e komunës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit të datës 31 gusht.

Konkursi për këto pozita pune ishte hapur në muajin maj të këtij viti, ndërsa janë shpallur 9 pozita të lira në nëntë shkolla të komunës së Prizrenit.

Sipas njoftimit të komunës së Prizrenit, në këtë konkurs kanë plotësuar kriteret 121 kandidatë nga 207 sa kishin aplikuar.