Shkolla e Mesme e Lartë "Xhelal Hajda-Toni" në Rahovec/Foto: Facebook

Gjimnazi në Rahovec pa profesor të matematikës, DKA thotë se janë në krizë të mësimdhënëseve për këtë lëndë

Shkolla e mesme e lartë “Xhelal Hajda-Toni” në Rahovec është duke u përballur me mungesë të mësimdhënësit të lëndës së matematikës që nga fillimi i këtij viti akademik, 3 tetor 2022.

Kjo çështje, nga ana e drejtorit të Arsimit në këtë komunë, Avni Morina, është cilësuar si krizë e mungesës së mësimdhënësve të kësaj lënde.

“Jemi në krizë nga mungesa e mësimdhënësve të matematikës” – shprehet drejtori.

Morina, në disa përgjigje për KALLXO.com ka konfirmuar që aktualisht ky gjimnaz nuk ka mësimdhënës të një prej lëndëve kryesore obligative.

Drejtori i DKA-së ka thënë se mësimdhënësja është në pushim të lehonisë, e kjo, sipas ankesave të prindërve që ka pranuar KALLXO.com ka bërë që nxënësit të mos mbajë orë mësimore të kësaj lënde nga fillimi i vitit.

Kjo është konfirmuar edhe nga ana e vet drejtorit, i cili ka thënë se fatkeqësisht nga data 3 tetor 2022 në mungesë të mësimdhënësit nuk mund të mbahen orët.

Cilat janë masat që ka marrë DKA deri më tani?

Drejtori i Arsimit në Rahovec tregoi se me të njoftuar nga ana e gjimnazit se mësimdhënësja po kalon në pushim të lehonisë, DKA ka hapur konkurs menjëherë.

Morina tha se në këtë konkurs nuk ka pasur kandidatë me kualifikim adekuat për të dhënë mësim në lëndën e matematikës.

Pas kësaj, Morina tha se DKA ka hapur përsëri konkursin tjetër për lëndën e matematikës, më datë 17 tetor 2022 dhe ky konkurs është ende në procedurë.

“Shpresojmë të kemi kandidatë të interesuar dhe më 24 nëntor, atëherë kur të përfundojë procedura e konkursit ta kemi mësimdhënësin/mësimdhënësen adekuate të rekrutuar me konkurs” – thotë tutje ai.

Në fazën zyrtare të Komunës të publikuara janë dy konkurset të cilat i ka përmendur udhëheqësi i DKA-së në Rahovec.

Fillimisht, më 18 korrik 2022 ishte hapur konkursi për dy vende të lira të punës për mësimdhënës/e të lëndës së matematikës.

Kushtet për konkurrim në këtë konkurs u tha se kërkohet kualifikim profesional sipas udhëzimit administrativ për normativ mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm.

Kualifikimet e tjera, që nuk do të ishin në përputhje me këtë udhëzim administrativ u tha se nuk do të merreshin në konsideratë.

Afati për aplikim në këtë konkurs do të fillonte më 19 gusht 2022 dhe do të përfundonte më 26 gusht 2022.

Që nga 16 gusht i 2022-ës, DKA-së iu deshën 7 javë, pra 1 muaj e 21 ditë që të hapnin konkursin e dytë, i cili u hap më 17 tetor 2022.

Afati për aplikim në këtë konkurs do të filloj më 17 nëntor 2022 dhe do të përfundoj më 24 nëntor 2022.