Konjufca zhvilloi bisedë telefonike me homologun italian, flasin për coronavirusin

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se dje ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij italian, Luigi Di Maio.

Konjufca njofton se gjatë kësaj bisede i ka shprehur ngushëllime për viktimat e pandemisë COVID-19 dhe i uroi që të infektuarit të shërohen sa më shpejt dhe t’u bashkohen familjeve të tyre. Ai e ka njoftuar edhe për masat që ka ndërmarr Qeveria për ta ngadalësuar përhapjen e këtij virusi.

“Në fund, u pajtuam që t’i vazhdojmë kontaktet tona për të shkëmbyer përvojat në këtë betejë të përbashkët botërore dhe për t’i zgjeruar e thelluar edhe më tutje raportet e shkëlqyeshme mes shteteve dhe popujve tanë”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social “Facebook”, të enjten.

KALLXO.com ka raportuar dje se shpresëdhënëse për Italinë është rritja e numrit të të shëruarve, ku në 24 orët e fundit janë shëruarve 2,099 persona, duke e ngritur numrin e përgjithshëm në 26,491 persona të shëruar.

Italia, vendi më i goditur nga pandemia COVID-19, ka 135 mijë persona të prekur nga ky virus, përfshirë viktimat dhe të shëruarit dhe ata që janë në trajtim intensiv apo shtëpiak.

Data 20 prill është kur autoritetet italiane presin që duke marr parasysh masat e ndërmarra të mos ketë shfaqje të rasteve të reja me COVID-19.

Në botë numri i rasteve të prekura deri më sot është afër 1 milionë e gjysmë, ndërsa numri i vdekjeve ka arritur në mbi 84 mijë.