Konjufca pret në takim deputeten britanike, flasin për ngjarjet në Banjskë

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka prit sot në takim deputeten dhe Kryetaren e Komisionit për Punë të jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.

Temë e diskutimeve ishin edhe ngjarjet e fundit në Banjskë ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

“I urova mirëseardhje në Kosovë, duke e falënderuar për vizitën e saj që vjen si afirmim i bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona mike dhe aleate, në një partneritet ku përputhen në plotni linjat e veprimit, interesat dhe qëllimet e synuara” – thuhet në njoftimin e Konjufcës.

Raportet mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, sipas kryekuvendarit janë shembullore.

Ndërsa, Konjufca ka falënderuar deputeten Kearns.

“Me znj. Alicia Kearns biseduam edhe për ngjarjet e fundit të Banjskës, ku mora konfirmimin se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën do të vijojë të jetë e fuqishme. Aktet e agresionit nga Serbia përmes grupeve terroriste nuk është kërcënim vetëm për Republikën e Kosovës, por vendos në pikëpyetje stabilitetin e të gjithë rajonit. Qëndrimi i prerë sot në emër të vlerave të demokracisë është sigurimi i paqes dhe përparimit të nesërm” – thuhet në njoftim.