Konjufca nuk është në dijeni nëse Qeveria e ka pranuar “planin e ri” të emisarëve ndërkombëtarë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është deklaruar pasi Qeveria e Kosovës tha se e ka pranuar planin e ri të pesë emisarëve ndërkombëtarë, i cili iu prezantua kryeministrit Albin Kurti por edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në takimin e së shtunës.

Konjufca tha se nuk ka dëgjuar se ka pasur pajtueshmëri për këtë plan dhe se sipas tij i nëjjti duhet të vendoset në kontekst të marrëveshjes së Ohrit.

“Nuk paskam dëgjuar që ka pasë pajtueshmëri për këtë plan, të themi ajo duhet të vendoset në kontekst të marrëveshjes së Ohrit. Qeveria jonë e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit dhe ka pranu që domethënë ajo të zbatohet, është Serbia që nuk e ka pranuar”- tha Konjufca para gazetarëve.

Ai theksoi se idetë dhe planet e reja duhet të shqyrtohen me kujdes dhe të bëjnë një dallim.

“Sa i përket planit që u propozuar dhe ideve të reja, ato duhet të shqyrtohen me kujdes dhe ta bëjmë një dallim. Dallimi që unë mendoj që është esencial për Kosovën dhe institucionet tona ka të bëjë me faktin që për Asociacion nuk duhet të negocionet, nuk është Asociacioni le të themi temë qëndrore e negociatave me Serbinë. Ai është si një marrëveshje e mëhershme në vitin 2013 të cilën kur Qeveria u përpjekë me ja dhënë me Serbinë formën, në vitin 2015 është rrëzu në Gjykatën Kushtetuese”- ka deklaruar kryeparlamentari.

“Tash procesi është që pas shkarkimit të grupit të cilit e ka pasë për qëllim me propzou një draft të Asociacionit, kjo ka ndodhë , por ajo ishte një formë e kamufluar e Repurblikës serbe brenda Kosovës, u refuzu prej Qeverisë së Kosovës dhe ky grup është shkarkuar nga ana e Qeverisë”- tha mes tjerash Konjufca.

Qeveria e Kosovës ka pranuar planin e ri të pesë emisarëve ndërkombëtarë, i cili iu prezantua kryeministrit Albin Kurti por edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në takimin e 21 tetorit.

Nga Qeveria thonë se më 21 tetor, diplomatët gjatë vizitës së tyre propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

“Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”- ka deklaruar për KALLXO.com, këshilltari për media në Qeveri, Klisman Kadiu.

Neni i 7 i Marrëveshjes Bazike apo i njohur ndryshe në publik si plani franko-gjerman, thotë se  “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Më tej në nen thuhet se palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Kadiu në një prononcim për KALLXO.com tha se Kurti ka shprehur dakordimin e tij që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila sipas kreut të ekzekutivit, do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”- është shprehur Kadiu.

Te enjten pritet që kryeministri Kurti të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Kadiu thotë se detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kurtit, megjithatë “ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”.

“Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes”- ka theksuar Kadiu.

Qeveria e Kosovës deri më tani nuk e ka themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

Takimet e paralajmëruara në Bruksel vijnë në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti pranon që plani i pesë emisarëve të jetë kornizë e vazhdimit të diskutimeve