Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konjufca: Dalja në zgjedhje e qytetarëve të jetë masive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se sot e ka shfrytëzuar të drejtën demokratike e qytetare për të votuar, në rundin e dytë të zgjedhjeve që po mbahen sot.

Pas votimit, para mediave ai tha se kështu mendon që duhet të bëjnë të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë sa më masive.

“Në këtë pjesë do të zgjedhen edhe më shumë kryetarë të komunave sesa që u zgjedhën në rundin e parë. E para është që sa më shumë qytetarë është e rëndësishme që të dalin në zgjedhje, kurse e dyta është që urojmë që procesi zgjedhor të shkojë mbarë e mirë që të mos ketë parregullsi që të përmbyllet në mbrëmje në mënyrë të ndershme e fer e që pastaj pa dyshim secili ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve”, ka thënë kryeparlamentari.

Thirrje qytetarëve për të votuar sot u kanë bërë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Sot mbahet rrethi i i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave të Kosovës.

Nga 38 komuna të Kosovës, 21 prej tyre kanë shkuar në balotazh pasi në zgjedhjet e datës 17 tetor kandidatët nuk kishin arritur të marrin mbi 50% të votave, që do u siguronte fitore pa rund të dytë.