Komuna kampione në zbatim të rekomandimeve të Auditorit (VIDEO)

Niveli lokal ka shkallën më të ulët të adresimit të rekomandimeve, duke adresuar vetëm 41% nga 483 rekomandime të pranuara në raportet e Auditorit për vitin 2019.

Komuna e Ferizajt është ndër komunat që ka pranuar më së shumti rekomandime, por edhe me shkallën më të ultë të adresimit të rekomandimeve.

Ferizaj ka zbatuar vetëm 30% nga 20 rekomandimet e pranuara në raportin e vitit 2019, nën mesataren e zbatimit të rekomandimeve nga niveli lokal.

Por është komuna e vogël e Hanit të Elezit, që është bërë shembull i zbatimit të rekomandimeve të Auditorit.

Ajo ka adresuar 71% të rekomandimeve që ka pranuar në raportin e Auditorit për vitin 2019.

“Në vitin 2018 kemi pasur 8 rekomandime, në vitin 2019 kemi pasur 7 rekomandime, dhe në vitin 2020 i kemi vetëm dy rekomandime, dhe nëse i shikojmë në bazë të shifrave e kemi pasur një ecuri pozitive për arsye se numri i rekomandimeve është zvogluar”, ka thënë Mazllum Qajani, nënkryetar i Komunës së Hanit të Elezit.

Nënkryetari i Komunës së Hanit të Elezit thotë se për secilin rekomandim janë marrë masa për t’u adresuar.

“Një shembull është i vitit 2019, ku Auditori na ka dhënë vërejtje që nga tatimi në pronë, nuk kemi identifikuar prona primare, pas marrjes së këtij rekomandimi drejtoria e Financave në bashkëpunim me zyrtarë për tatimin në pronë, kanë azhurnuar data-bazën e tatimit në pronë. Janë identifikuar pronat të cilat nuk është larguar banimi primar, janë evidentu, janë dërguar Ministrisë së Financave dhe ky problem është zgjidhur”, tha ai.

Qajani për KALLXO.com ka treguar sfidat që kishte komuna për të adresuar rekomandimin e Auditorit për dhënien në shfrytëzim të pronave publike.

“E kemi pasur një rast ku Auditori na ka dhënë vërejtje si jepet prona publike në shfrytëzim, realisht ne Komuna e Hanit të Elezit i kemi disa prona të cilat janë trashëguar që nga vitet e 90-ta, por ata na kanë dhënë vërejtje që ju nuk keni një dokument ose rregullore sipas të cilës duhet të jepen këto prona. Ne si komunë, pas këtij rekomandimi, jemi konsultuar edhe me komunat e tjera, e kemi pasur një draft nga kolegjiumi i drejtorëve të urbanizmit nga ASK, e kemi adaptuar atë rregullore për komunën e Hanit të Elezit, ka kaluar në të gjitha procedurat në organet komunale, kështu që ajo rregullore ka qenë implementim i rekomandimit të Auditorit” , tha Mazllum Qajani.

Ndër komunat që kishte pranuar numër të madh të rekomandimeve në të kaluarën ishte edhe ajo e Pejës.

Por, kjo komunë ndër vite ka arritur të ulë numrin e rekomandimeve.

Jeton Abazaj, drejtor i Financave në Komunën e Pejës, ka treguar secilin hap që komuna merr pas pranimit të rekomandimeve nga Auditori.

“Në raport ceket çdo kund që kryetari duhet të marrë masa, bile kështu fillon secila fjali e të gjeturës, mirëpo personat kompetent duhet ti ndihmojnë kryetarit dhe ekipit. Me qenë se formohet një ekip, atëherë kryetari e formon ekipin dhe komunikimi është i mirë mes drejtorive përkatëse që ka edhe gjetje. Kryesisht bie barra më shumë mbi financat, si një lloj koordinatori që merret me të gjeturat”, tha Abazaj.

“Ekipin zakonisht e formojnë 5 persona, kryesisht financat, por mundohemi që të jenë edhe fushat apo drejtorit ku janë të gjeturat specifike, që të jenë minimumi prej secilën dikaster edhe nganjë person” , theksoi drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj.

Abazaj, që është edhe udhëheqës i komitetit të financave në Asociacionin e Komunave, thotë se gjitha komunat kanë telashe me menaxhimin e kontratave.

“Sfida më të mëdha të komunave, të cilat përsëriten në secilën kommunë kanë qenë edhe janë kryesishtë menaxhimi i kontratave, prej 38 komunave që auditohen në Republikën e Kosovës nuk mundesh me gjetë një raport të Auditimit ku nuk ka gjetje të tillë, dobësi në menaxhimin e kontratave, kjo fatkeqsishtë na ka përcjellë edhe komunën e Pejës”, ka treguar Abazaj për KALLXO.com.

Komunat vazhdimisht janë ankuar se disa prej rekomandimeve të auditorit janë për shkak të veprimeve të qeverisë.

“Në rastin e nënshkrimit të kontratës kolektive, komunës i bie barra në rastin kur mësimdhënësit po e dërgojnë në Gjykatë, të gjitha vendimet po ekzekutohen prej komunave të Republikës së Kosovës, mirëpo në rastin kur është marrë vendimi i nënshkrimit të marrëveshjes kolektive, nuk janë pyetur fare komunat, nuk është ndarë buxhet për këtë punë dhe neve çdo vit Auditori na shkruan të gjetur se është ekzekutu vlera e ekzekutimeve të buxhetit dhunshëm nga përmbaruesit është kaq kaq mijë euro. Ose në rastin konkret ka edhe miliona euro që ekzekutohen prej komunave, kjo gjetje është pa pikën e fajit të komunave dhe krytetarit të komunave. Në atë kohë ish-ministri i Arsimit ka marrë vendim që me nënshkru një kontratë të tillë nuk është marrë aprovimi as prej ministrisë së Financave dhe do të ketë buxhet për mbulimin e kësaj pjese, dhe komunat e pësojnë me një të gjetur më tepër me ekzekutim të dhënshëm, dhe kjo na kushton mjaft shumë dhe është rast konkret pse ndodh një gjetje e tillë”, theksoi Abazaj për vendimin e Ministrisë së Arsimit për kontratat kolektive të mësimdhënësve.

Abazaj iu ka bërë thirrje kryetarëve të komunave që të bëjnë më shumë presion tek qeveria për t’i eliminuar rekomandimet që janë jashtë kompetencës së tyre.