Ilustrim

Komuna e Prishtinës e anulon tenderin për trajtimin e qenve endacakë

Tenderi për trajtimin e qenve endacakë në komunën e Prishtinës, i cili u hap më 24 mars të vitit të kaluar, në kohën kur komuna po qeverisej nga ish-kryetari Shpend Ahmeti, tashmë është anuluar.

Njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, Komuna e Prishtinës e bëri të ditur nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik në Kosovës “e-prokurimi”.

Në vendimin për anulim, Komunës e Prishtinës thotë se ka qenë edhe ndryshimi i strategjisë dhe vizionit për trajtimin e qenve endacakë.

“Duke e ditur se kemi kontrata ekzistuese, mirëpo edhe strategjia dhe vizioni ka ndryshuar totalisht sa i përket trajtimit të qenve, edhe në përgjithësi kemi çasje tjetër tani në trajtimin e këtij fenomeni, atëherë e shohim të arsyeshme që ky projekt të mos vazhdohet, pra të anulohet”, thuhet në vendim.

Për tenderin në fjalë ishte parashikuar kontratë në vlerë deri 50 mijë euro.

Në muajin kaluar, KALLXO.com, raportoi se Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës lidhur me çështjen menaxhimit të popullsisë së qenve endacakë në kryeqytet.

Kjo organizatë, sipas njoftimit, do të jetë afër komunës “për ta mbështetur në përgjithësi rreth menaxhimit të popullsisë së qenve në Prishtinë, bazuar në frymën e Strategjisë Kombëtare që është duke u finalizuar nga niveli qendror”.

KALLXO.com gjithashtu ka raportuar edhe për rastet kur qentë endacakë ka sulmuar qytetarët, të cilat kanë qenë të shumta.