Kompania e Mbeturinave "Uniteti" me mbi 3.5 milionë euro borxh ndaj ATK-së

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Uniteti” nga Mitrovica, vitin 2022 e ka përmbyllur me mbi 3.5 milionë euro borxhe ndaj institucionit të Administratës Tatimore të Kosovës. Madje sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, obligimet tatimore nuk ishin prezantuar drejtë nga kompania.

“Kompania në kuadër të detyrimeve afatshkurta në pasqyrën e pozicionit financiar kishte prezantuar obligime tatimore në vlerë 2,235,745 euro, ndërsa bazuar në gjendjen e përgjithshme të deklarimeve dhe të transaksioneve të tjera të tatimpaguesit si dhe pas konfirmimit të pranuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), obligimet tatimore të kompanisë ndaj ATK-së, janë në vlerë prej 3,591,994 euro. Prandaj, kompania nuk kishte prezantuar drejtë obligimet tatimore në pasqyrat financiare për vitin 2022 për vlerën 1,356,249 euro” – thuhet në raportin e Auditimit.

Sipas raporti të Auditorit, kjo kishte ndodhur për shkak të mosharmonizimit ndër vite të obligimeve tatimore të kompanisë me gjendjen e deklarimeve dhe borxheve në ATK.

Tutje, thuhet se mosbarazimi ka ndikuar që prezantimi i obligimeve tatimore të mos jetë i saktë në pasqyrat financiare vjetore duke i nënvlerësuar obligimet afatshkurta të kompanisë.

Sipas Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, kërkohet që shoqëritë tregtare të verifikojnë të paktën një herë në vit, ekzistencën dhe vlerësimin e pasurive dhe kapitalit, nëpërmjet inventarizimit të këtyre elementeve dhe dëshmive të tyre mbështetëse nëpërmjet procesit të inventarizimit.

Rekomandimi i dalë nga raporti për bordin e kompanisë është që të sigurojë që janë ndërmarrë veprime të harmonizimit të gjendjes së llogarive me ATK-në.

“Bordi i drejtorëve duhet të sigurojë se janë ndërmarr veprimet e nevojshme që obligimet tatimore të kompanisë të harmonizohen me gjendjen e llogarive në ATK dhe të prezantohen saktë në pasqyrat financiare vjetore” – rekomandon Auditori.

Nga menaxhmenti janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, më 4 maj 2023 nga Kryesuesi i Bordit të drejtorëve të KRM “Uniteti” Sh.A , Fatmir Hyseni,  konfirmohet se e ka pranuar draft/raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit “Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Uniteti” Sh.A, për vitin 2022”.