Kuvendi i Kosovës, Foto: Facebook

Komisioni për Punë të Jashtme takohet me deputetët austriak, kërkojnë njohjen e patentë shoferëve

Në kuadër të vizitës në Kosovë, Grupi parlamentar i miqësisë Austri-Kosovë është pritur sot në takim nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës.

Zbatimi i marrëveshjes për sigurimet shoqërore, njohja e patentë shoferëve, si dhe e vulave apostile, ishin kërkesa të drejtpërdrejta të Komisionit drejtuar atyre.

Sipas njoftimit, deputetët austriak kanë thënë, se gjatë ditëve në vijim Austria do të marrë vendim për njohjen e patentë shoferëve.

Ndërsa është bërë e ditur se në takim ka folur nënkryetari i Komisionit, Xhavit Haliti, si dhe deputetët: Time Kadrijaj, Yllza Hoti dhe Doarsa Kica – Xhelili, të cilët kërkuan mbështetje të mëtejme nga Austria dhe nga faktori i gjerë ndërkombëtar, sipas tyre, veçanërisht në këtë fazë të vështirë të shtetndërtimit.

Përfaqësuesit e Grupin parlamentar të miqësisë Austri-Kosovë u shprehën se Austria do të mbetet e përkushtuar në mbështetje të interesave të Kosovës në të gjitha forumet ndërkombëtare ku ajo do të jetë e pranishme.

Kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, ka thënë se Austria, ka qenë dhe mbetet mike e respektuar e Kosovës, andaj, vijoi ajo, angazhohemi që ky bashkëpunim ndërmjet të dyja vendeve, të fuqizohet dhe të konkretizohet edhe më shumë.