Komisioni për Legjislacion miraton në parim projektligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar

Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim projektligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.

Këtë projektligj, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e prezantoi Blerim Sallahu, zëvendësministër i Drejtësisë. Ai tha që me ligjin paraprak shumë dispozita për pasurinë e sekuestruar apo konfiskuar nuk kanë qenë të konkretizuara.

“Dispozitat për shitje të pasurive të konfiskuara për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar  nuk kanë qenë të konkretizuara sa i përket shitjes së pasurive të paluajtshme dhe dhënie me qira të pasurive të sekuestruara e kjo ka reflektuar si pengesë në realizimin e ankandeve për shitjen e pasurive të paluajtshme, andaj kjo situatë ka ndikuar që një pjesë e pasurive të mbesin pa u shitur prandaj është propozuar plotësim ndryshimi i ligjit në fjalë”, tha Sallahu.

Sipas Sallahut “projektligji për plotësim dhe ndryshim të ligjit për Administrimin e së sekuestruar dhe konfiskuar synon krijimin e infrastrukturës ligjore të përshtatshme që do të ndihmoj në administrimin sa më efikas dhe efektiv te pasurisë se sekuestruar dhe konfiskuar”.

Zëvendësministri i Drejtësisë tha që projektligji i ri rregullon tri probleme për pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara.

“Ky projektligj rregullon tri probleme, krijohet mundësia që pronat e paluajtshme të shiten nga agjencia që deri tash nuk ka ekzistuar, krijohet mundësia që në fazën e sekuestrimit me vendim gjyqësor të jepen me qira pronat e paluajtshme, dhe krijohet mundësia që agjencia që në fazën e konfiskimit të jep me qira pronat e paluajtshme të konfiskuar me vendim gjyqësor”, tha ai.

Tutje Sallahu tha se këto ndryshime i hapin rrugë shitjes së pronave të paluajtshme që do konfiskohen me ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.

Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit për Legjislacion, tha që projektligji në fjalë rregullon administrimin e pasurisë së konfiskuar apo sekuestruar.

“Projektligji e plotëson dhe ndryshon ligjin bazik për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar duke e fuqizuar këtë institucion krijon mundësi më të leverdishme për shfrytëzimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar, çoftë me mundësinë e dhënies me qira, çoftë me mundësinë e shitjes”, tha ai.

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit, Driton Selmanaj, pati një dilemë rreth këtij projektligji.

“Sa kemi të drejtë ne të lëshojmë me qira diçka që është ne proces ligjor, por që është e sekuestruar, sepse faza e sekuestrimit është një fazë e përkohshme, deri sa të përfundon me aktgjykim final.   Kam dilemat e mia nëse mund ti marrim në shërbim ose ti japim me qira, sepse me pas nëse shkaktohet gjatë shfrytëzimit kush i kryen ato shpenzime më pas”, tha Selmanaj

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha që pronat mund t’i jepen me qira vetëm me vendim të gjykatës.

“Ne e kemi bo një grup të ekspertëve dhe i kemi paraparë mundësitë qysh me i shfrytëzu këto objekte, gjykata mundet me vendim gjyqësor me dhon me qira një objekt. Kjo bëhet me vendim gjyqësorë, po ashtu merret edhe mendimi i palës tjetër”

“Deri tash i kemi 12 prona, që na krijojnë shumë shpenzime sepse duhet paguar kompani të sigurimit, edhe na krijojnë shpenzime. Ky ligj na jep mundësinë që me i thonë qeverisë, a po doni me i shfrytëzu apo me i hedh në ankand”, shtoi ai.

Hajdar Beqa, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha që partia e tij në parim përkrah projektligjin në fjalë, por shtoi nevojën që të ketë ende diskutime dhe përmirsime për të.

Në parim, me 7 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Komisioni po ashtu ka miratuar projektligjin  për të drejtën ndërkombëtare private.

Po ashtu, Komisioni ka miratuar edhe listën e emrave të propozuar për intervistim për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsion.