Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shkarkohet nga puna një avokate shtetërore, dyshohet se i shkaktoi dëm buxhetit të shtetit qindra mijëra euro

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar se është shkarkuar nga puna një avokate shtetërore me inicialet I.A.

Sipas zv.ministrit shkarkimi i avokates ka ardhur pasi ajo ka dëmtuar institucionet publike në vazhdimësi duke kryer veprime të paautorizuara. Madje, ai ka thënë se në një rast ajo ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë 505 mijë euro.

“Sapo pranuam Vendimin e Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Drejtësisë me të cilin shkarkohet nga Shërbimi Civil, Avokatja Shtetërore I.A.” – ka thënë Sallahu.

Tutje ai ka thënë se avokatja tashmë e shkarkuar gjatë ushtrimit të funksionit të saj ka lidhur ujdi për lëndë pa autorizimin dhe njoftimin e personave përgjegjës, ka lidhur ujdi për lëndë të avokatëve të tjerë shtetërorë pa i njoftuar as avokatët e as palët e nuk ka bërë analiza paraprake për ujditë gjyqësore.

Sallahu po ashtu ka thënë se I.A. po ashtu ka lidhur ujdi në vlerë prej 505 mijë euro pa e njoftuar Avokaturën Shtetërore dhe Departamentin e shpronësimit, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit.

Avokatja sipas zv.ministrit po ashtu ka mbrojtur në Gjykatë, Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) në një rast, në të cilin Gjykata Themelore ka marrë vendim që ka prodhuar obligime financiare për SHKK. Sipas Sallahut, avokatja në fjalë nuk e ka njoftuar fare institucionin dhe lënda ka përfunduar në përmbarim.

Gjithashtu, zëvendësministri ka thënë se I.A. ka pranuar vendimin për një rast në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), por për të njëjtin nuk e ka njoftuar MPB-në dhe as nuk ka ushtruar ankesë, duke i krijuar MPB-së obligim financiar prej rreth 7 mijë euro.

E gjithashtu, zv.ministri tha se I.A. nuk ka raportuar tek udhëheqësi, që sipas tij veprime të tilla minojnë dhe cenojnë interesin publik dhe janë të papranueshme.

Zëvendësministri ka thënë se e përshëndet vendimin e komisionit dhe se pret që raste të tilla të jenë mësim për ata që institucionin publik të vendit e shohin si mundësi për zhvatje e krijimin e përfitimeve të paligjshme vetjake a të palëve të tjera.

Sallahu ka thënë se pandëshkueshmëria ka qenë sëmundja më e përhapur në institucionet publike për shkak të ish-pushtetarëve dhe sipas tij kjo nuk duhet dhe nuk do të jetë më.