Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sallahu: Prona e ish-hotelit “Vicianum” në Vushtrri mbetet publike

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se prona e ish-hotelit “Vicianum” në Vushtrri do të mbetet vetëm pronë publike.

Sipas tij, në vitin 2021, Ministria e Drejtësisë kishte anuluar kontratën e ish-drejtuesve të këtij institucioni, që pronën publike ia kishin dhënë në shfrytëzim një personi privat.

“Në vitin 2021, njëanshëm patëm anuluar kontratën kriminale përmes së cilës ish -drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë, pronën publike të Ministrisë së Drejtësisë ia patën dhënë në shfrytëzim personit juridiko privat, pa asnjë bazë ligjore e kushtetuese, prej 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katrorë. Ky vendim i yni ishte vërtetuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë- Dega Vushtrri, si i drejtë dhe i ligjshëm”- ka thënë ai.

Ndërsa ka njoftuar se ky vendim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Ai ka thënë se në lidhje me këtë, si Ministri e Drejtësisë kanë dorëzuar edhe kallëzim penal kundër ish-ministrit të Drejtësisë dhe ish-drejtorit të Shërbimit Korrektues, i cili sipas tij, është hedhur poshtë nga Prokuroria Speciale.