Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zv.ministri i Drejtësisë fajëson Gjykatën Kushtetuese për vonesën e implementimit të shumë ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se vonesa e tejzgjatur dhe e paarsyeshme e Gjykatës Kushtetuese në vlerësim të kushtetutshmërisë të projektligjeve dhe akteve tjera të miratuara në Kuvendin e Kosovës është cenim i drejtpërdrejt i demokracisë përfaqësuese dhe i funksionit kushtetues legjislativ të këtij institucioni kushtetues.

Ai shtoi se në ligjin për Gjykatën Kushtetuese janë vendosur afate nga Kuvendi i Kosovës për të mos cenuar funksionin.

“Jo pa shkak, në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese janë vendosur afate nga Kuvendi i Kosovës se kur duhet të përfundojë vlerësimi i kushtetutshmërisë së një akti të miratur në Kuvendin e Kosovës. Pra, krejt kjo është bërë për të moscenuar organizimin, funksionet dhe kompetencat kushtetuese të Kuvendit të Kosovës”- është shprehur Sallahu.

Sipas tij, afati i vetëm i respektuar nga Gjykata Kushtetuese në shqyrtim dhe vlerësim të kushtetutshmërisë së akteve të Kuvendit është afati joligjor.

“Kjo sjellje joligjore e Gjykatës Kushtetuese godet në thelb politikat ligjore të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, si dhe funksionet e tyre kushetuese në përmbushjen e interesave të qytetarëve të Kosovës”- shtoi me tej Sallahu.

Pesë ligje të miratuara në Kuvend të Kosovës janë duke u shqyrtuar aktualisht në Gjykatën Kushtetuese. Ligjet janë dërguar në Gjykatë pas pretendimeve që të njëjtit janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Ligji për Paga në sektorin publik, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për zyrtarët publikë dhe Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, janë ligjet që po i shqyrton Kushtetuesja.

Përveç këtyre, kjo gjykatë po shqyrton edhe disa nene të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Sa ligje po shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese?